Aktori i mirënjohur turk, Tolgahan Sayisman dhe bashkëshortja e tij, modelja dhe aktorja shqiptare, Almeda Abazi, të mërkurën qëndruan në Prishtinë.
Ata janë mirëpritur gjatë paradites në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga ministri ende në detyrë i kësaj ministrie, Kujtim Gashi.
Të pranishëm në takimin e zhvilluar në zyrën e ministrit ishin edhe kabineti i tij, si dhe delegacioni turk.
Arsyeja e këtij bashkëpunimi ka qenë një marrëveshje e nënshkruar mes MKRS-së dhe Ministrisë së Kulturës të Turqisë, për realizimin e disa projekteve të përbashkëta.
Lidhur me këtë, Kujtim Gashi u shpreh i gatshëm për realizimin e këtyre projekteve.
“Aktori Tolgahan qëndron këto ditë në Kosovë me ftesën time, me arsyen dhe qëllimin për mundësitë e bashkëpunimit, duke pasur parasysh që Kosova ka pasur një progres jashtëzakonisht të madh këto dy vite në zhvillimin e kulturës, veçanërisht në ato të kinematografisë. Besoj që Tolgahan do të jetë një emër i njohur që do të kontribuojë në këtë bashkëpunim”, u shpreh Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.
Ai ka theksuar se ky bashkëpunim, pritet të zhvillohet tani e tutje.
“Projektet janë nënshkruar që dy vjet, por, tashmë është koha që t’i jetësojmë këto projekte. Tolgahan do të jetë Ambasador Nderi dhe do jemi të gatshëm që të punojmë në këto projekte duke filluar nga tani dhe muajt në vazhdim”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, vet aktori Sayisman, i cili është i martuar me modelen shqiptare, Almeda Abazi, u shpreh tejet i lumtur që iu bë një prijte e tillë në Kosovë, aq më tepër referuar faktit që gjysma e familjes së tij është shqiptare.
“Kam ardhur me ftesën e Ministrit të Kulturës sot këtu, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, herën e fundit kam qenë para katër viteve edhe atëherë ka pasur shumë interes ndaj meje. Javën e kaluar është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Turqisë dhe Kosovës. Ftesa që më është bërë mua që të vijë pas nënshkrimit të marrëveshjes në cilësinë e ambasadorit kulturor mua më ka nderuar shumë, sepse gjysmën e familjes e kam shqiptare”, ka thënë aktori turk Sayisman.
Pjesë e delegacionit turk ishin edhe disa figura të tjera, ndër to edhe modelja e njohur Arbnora Ademaj, e cila së funmdi ka nisur karrierë në Turqi, duke u bërë protagoniste e disa projekteve kinematografike atje. /Telegrafi/