Telegrafi

Tjetër gol fantastik nga Hyka në MLS, por San Jose mposhtet në fund

Jahmir Hyka ka vazhduar me formën e tij të mirë në kampionatin amerikan MLS.

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë e ka nisur edhe një ndeshje si titullar për skuadrën e tij San Jose Earthquakes ndaj Vancouver Whitecaps.

Vendasit ishin duke triumfuar me rezultat 2-0 pas 18 minutave të parë, por mysafirët rikthyen gjithçka dhe triumfuan në fund 3-2.

Vetëm pas shtatë minutash lojë, ylli shqiptar Jahmir Hyka gjeti golin e parë në këtë takim.

Një top i larguar nga mbrojtja mysafire shkoi deri tek Hyka i cili me një goditje të fuqishme shënoi për 1-0.

Goli i sotëm për Hykën ishte i treti në këtë kampionat, derisa ka bërë edhe tre asistime të tjera.

Gjithsesi San Jose mbetet në pozitën e fundit në Konferencën e Perëndimit me vetëm 17 pikë pas 25 ndeshjeve.

Në ndeshjen e radhës tiranasi së bashku me ekipin e tij do të jenë mikpritës të liderit Dallas. /Telegrafi/