Nga: Dejan Stojilkoviq / Velike Price
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com
Ivo Andriqi e priti çlirimin e Beogradit në banesën e tij në Rrugën e Prizrenit. Është një fotografi e ruajtur ku ai, i veshur me kostum dhe me një elegancë të përsosur, nga tarraca e banesës së vet shikon në distancë, ndoshta në drejtim të Avallës nga ku po vepronin sovjetikët dhe partizanët. Ka ardhur një epokë e re. Dhe, me të një ideologji e re dhe një regjim i ri. Si do të përshtatet ambasadori i vjetër mbretëror me botën e re të virtytshme komuniste? Doktor Andriqi me siguri e pyeste veten për këtë, teksa shikonte larg nga tarraca e tij në “Prizren”. Ndonëse pensionist, ishte ende i ri dhe në kulmin e fuqisë së vet krijuese, ndërsa gjatë luftës nuk bëri asgjë tjetër pos shkrimit. I kishte gati romanet Ura mbi Drin [Na Drini ćuprija] dhe Kronika e Travnikut [Travnička hronika], si dhe disa tregime të pabotuara. Por, a do të dojë qeveria e re të botojë një shkrimtar që nuk i përkiste të ashtuquajturës “elita e re” që tani kryesisht ishte në radhët e komunistëve?
Shumë prej kolegëve të Andriqit ishin komunistë të paraluftës dhe disa prej tyre, si Branko Çopiqi apo Vladimir Nazori, dhanë kontribut konkret në luftën kundër pushtuesit – duke qenë pjesëtarë të njësive partizane. Logjika e rendit të ri komunist diktonte që shokët “e merituar” të kenë përparësi ndaj atyre që nuk ndërhynë në “revolucion”. Dhe, Andriqi nuk ndërhyri. Ai nuk u interesua për politikë; refuzoi nënshkrimin e të ashtuquajturit “Apel për popullin serb” të Nediqit në të cilin dënohet çdo rezistencë ndaj pushtuesit, dhe gjithashtu refuzoi botimet përderisa po vazhdonin lufta dhe okupimi . Reagoi negativisht ndaj ftesës së Shoqatës Letrare Serbe për përfshirjen e veprave të tij në Antologjinë e tregimeve bashkëkohore serbe, dhe përgjithësisht refuzoi të botonte çfarëdo tjetër.
Romani i parë që Andriqi përfundoi gjatë okupimit ishte Kronika e Travnikut. Pas kësaj iu drejtua dorëshkrimit të romanit Ura mbi Drin, ndërsa në verën e vitit 1942 zhvendoset – përkohësisht – në Sokobanjë ku intensivisht do të punojë në të. Deri në tetor të vitit 1944, kur çlirimtarët hyjnë në kryeqytet, Andriqi e kishte gati romanin e tretë – Zonjusha [Gospođicu]. Të tri romanet botohen menjëherë pas luftës dhe autori i tyre do t’i “rregullojë” ato me shumë mjeshtëri. Ura botohet në vitin 1945 nga “Prosveta” e Beogradit, Kronika e Travnikut po atë vit nga Shtëpia Botuese Shtetërore e Jugosllavisë – “Beograd”, ndërsa Zonjusha do të dalë para lexuesve përmes “Svjetlost”-it të Sarajevës. Pikërisht ky fakt, që vetëm në një vit – menjëherë pas përfundimit të luftës në Jugosllavi – u botuan tri romane të Andriqit, flet në favor të faktit se shteti i ri komunist kishte interes tek ai. Ndonëse letërsia e pasluftës ishte thelluar në fazën e propagandës socrealiste, ku tekstet e preferuara letrare ishin ato për Luftën Nacionalçlirimtare, për Titon, për partinë dhe për revolucionin, shumëkush në krye të qeverisë së re ishin të vetëdijshëm se shkrimtari i kalibrit të Andriqit ishte më se i nevojshëm për kulturën e çorganizuar të shtetit të sapokrijuar.
Natyrisht, kishte nga ata që mendonin ndryshe dhe shumë e kritikuan Andriqin për vitet e paraluftës, veçanërisht për periudhën si ambasador në Berlin. E cilësuan si pakurrizor, si mason, jezuit, hipokrit, silentolog … Megjithatë, kjo nuk i shkaktoi shumë dëme reputacionit të tij. Shumëkush thonë se kjo ishte për shkak se Andriqi kishte miq të fuqishëm në mesin e komunistëve, si Marko Ristiqin me të cilin mbante një korrespondencë të gjatë, ose me Millovan Gjilasin i cili më vonë do ta pësojë, por e vërteta shkon te një fakt i thjeshtë – nga bota e re e virtytshme, Andriqin e mbronte letërsia e vet. Jugosllavia nuk e kishte një shkrimtar të barabartë me Andriqin, dhe kjo ishte e qartë për të gjithë qëkur tri romanet e tij, të cilat tani janë klasike, u shfaqën në vitrinat e librarive në vitin 1945 – në mes të mungesës së letrës dhe fillimit të rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Gjithashtu, veprat e Andriqit shpejt do të arrijnë te lexuesit dhe kritikët e huaj, veçanërisht ata perëndimorë që do të thurin elozhe për të.
Pikërisht këtu ndodhi zanafilla e një rivaliteti, i cili të paktën në një pjesë do të përcaktojë raportin mes Andriqit dhe njeriut më të fuqishëm në vend – Josip Broz Titos.
Megjithëse Andriqi iu bashkua shumë shpejt rendit të ri komunist, duke u përpjekur që të bëhej pjesë e asaj që në atë kohë quhej “inteligjenca e ndershme”, ekzistonte gjithmonë dyshimi për besnikërinë dhe përkushtimin e tij ndaj shtetit të ri dhe të ardhmes socialiste drejt së cilës kishte marrë turr. Andriqi do të bëjë një turne nëpër Jugosllavi, do të vizitojë shumë vende, do të mbajë takime në vendet goxha të rëndësishme – me anëtarë komiteti; do të shkruajë tekste të angazhuara në të cilat e lavdëron socializmin, Mareshalin Tito, “Generalissimon” Stalin; menjëherë pas luftës emërohet (nëse ky term është i përshtatshëm për një sistem në të cilin nuk kishte zgjedhje të lira) deputet në Kuvendin e Bosnje-Hercegovinës dhe më 1954 bëhet anëtar i Lidhjes së Komunistëve – me kërkesën e tij. Njëkohësisht do të bëhet edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe anëtar i organizatave si Këshilli për Letërsi i Ministrisë së Kulturës së Serbisë, Këshilli Artistik për Kinematografi, Komisioni Federal për Regjistrimin e Bonove Kombëtare dhe Komisioni Jugosllav për UNESCO-n.
Pavarësisht gjithë kësaj, Josip Brozi do t’ia japë përparësinë një shkrimtari tjetër – Mirosllav Kërlezhës.
Është interesant fakti që Kërlezha dhe Andriqi si çift ishin nominuar – në fillim – për çmimin Nobel, d.m.th. në “duet”. Ka mistifikime se pas gjithë kësaj qëndronte personalisht Tito, për të cilin Kërlezha ishte jo vetëm më i mirë si shkrimtar, por edhe mik personal. Sidoqoftë, Kërlezha ishte shumë pak i njohur jashtë hapësirës jugosllave; në Perëndim dhe në Lindje vepra e tij u trajtua vetëm nga kritikët dhe sllavistët e përkushtuar, ndërsa Andriqi ishte shkrimtari më i përkthyer jugosllav, recensionet e librave të të cilit u botuan në The New York Times, San Francisco Chronicle, Frankfurter Allgemeine Zeitung, ndërsa parisienja Le Monde e shpalli si “Tolstoin jugosllav”.
Kësaj dileme të Kërlezhës apo Andriqit, fundin do t’ia japë Komiteti i Nobelit, komisioni i të cilit do të konkludojë se Andriqi megjithatë është shkrimtar më i mirë se Kërlezha dhe se në të ardhmen do ta pranojë vetëm kandidaturën e tij, sepse beson se “dy shkrimtarët nuk janë në të njëjtin niveli dhe se Andriqi meriton më shumë vëmendje”.
Andriqit i ndihmoi edhe fakti se më në fund u përkthye në suedisht në vitin 1960 dhe këtë e bëri Gun Bergman, gruaja e regjisorit të famshëm Ingmar Bergman, e cila nuk u kufizua vetëm në përkthim, por librat me përkthimet e saj i promovoi në mënyrë mjaft të suksesshme.
Nuk dihet saktësisht se sa e zemëroi Brozin kjo, por me rastin e këtij rivaliteti të (pa)imponuar, Andriqi dinte të ishte i matur dhe diplomatik, ndërsa, pasi e merr çmimin Nobel, kur botuesi i tij suedez e pyet nëse kishte ndonjë dorëshkrim tjetër në sirtarin e vet dhe nëse ai libër mund të botohet fillimisht në Suedi, Andriqi iu përgjigj:
“Më vjen keq zotëri i nderuar, por kjo nuk mund ndodhë, sepse nuk e kam asnjë dorëshkrim të gatshëm për shtyp. Por, në Jugosllavi jeton një shkrimtar i cili është i njohur në mbarë botën dhe i cili, po si unë, e ka merituar mirënjohjen e Akademisë tuaj. Është Mirosllav Kërlezha”.
Në esenë e tij mbi marrëdhëniet midis Andriqit dhe Krlezhës, botuar nga “Matica Hrvatska”, Kreshimir Nemeci thotë: “Marrëdhënia mes dy gjigantëve tanë letrarë, Mirosllav Kërlezha dhe Ivo Andriq, ishte – pjesërisht për shkak të karaktereve të tyre të kundërta dhe pjesërisht për shkak të rivalitetit të gjatë të tyre – e ndërlikuar, delikate, plot tensione, e ngarkuar me emocione të ndryshme ogurzeza, e kontaminuar nga keqkuptimet e shumta, mosmarrëveshjet e deri te thashetheme dhe manipulimet mediatike. Shumë prej tyre janë grumbulluar me kalimin e kohës, ndoshta për shkak të një kombinimi rrethanash, dhe jo gjithmonë me vullnetin e tyre. Kërlezha dhe Andriqi ishin thellësisht të vetëdijshëm për diversitetin e personazheve, ndjeshmëritë, orientimet artistike dhe të botëkuptimit”.
Ai e citon edhe Kërlezhën i cili në një intervistë ka deklaruar: “Andriqi mua ose unë atij ia kemi lidhur këmbët qëkur kemi ekzistuar, ndërsa asnjë lidhje nuk e kemi – jemi dy botë krejtësisht të ndara”. Në një bisedë tjetër, Kërlezha ankohet: “Është e papëlqyeshme dhe më shqetëson që lexuesit, madje edhe taborët e kritikëve letrarë debatojnë se kush është shkrimtar më i madh: Kërlezha apo Andriqi? Nuk jemi dy ekipe futbolli me tifozë të ndarë”.
Gjithsesi, pas ndarjes së çmimit Nobel, Kërlezha nuk hezitoi të qortojë Andriqin se gjatë ceremonisë dhe asaj që ndodhi para dhe pas, “botës nuk i tregoi diçka për ne”.
Më tej, Nemeci përfundon në esenë e vet: “Ndonjëherë, në fjalët e Kërlezhës për Ivo Andriqin ndihet një keqdashje dhe përbuzje. E akuzoi për paqëndrueshmëri politike, për përshtatje oportuniste me rrethanat politike dhe për konvertim. E përmendi rastin me artikullin e Bogdanoviqit për të, në Enciklopedi, kur Andriqi nga Kërlezha paraprakisht i kërkoi që ta fshinte shënimin në tekst se ishte me origjinë kroate. Ishte faji i Kërlezhës që kurrë nuk u përmend, në publik, e kaluara e dyshimtë politike e Andriqit”.
Vlen të përmendet edhe libri i piktorit dhe shkrimtarit Josip Vanishta (1924–2018), në të cilin regjistroi thënien e Kërlezhës: “Po të mos ishte Nobeli, Andriqi do të ishte një shkrimtar i vockël i panjohur (…) Sipas veprës së tij, ai ishte njëqind për qind nihilist, në jetën e vet arbitroi në Belvedere. Ishte njeriu i Stojadinoviqit, ambasador te Hitleri. Pse hesht? U ndamë në vitin 1919. Unë isha komunist, ai u bashkua me ruajalistët. Para meje dridhej si bretkosa para gjarprit, nga frika se mos në një çast do ta zë”.
Ky “rivalitet” do të vazhdojë edhe pas vdekjes së Andriqit, kështu që Dragan Jeremiqi (1925–1986), kritik letrar – i njohur më shumë për akuzën ndaj Danilo Kishit për plagjiaturë – në vitin 1977 do të shkruajë në NIN: “Andriqi është më i zgjuari, Kërlezha është më i rëndësishëm në aspektin shoqëror, Cërnjanski ka shkruar veprat më të bukura. I pari flet më thellësisht për jetën dhe për njerëzit, i dyti na angazhon më shumë në shoqëri dhe e inkurajon përparimin, i treti na e ofron kënaqësinë më të pastër estetike”.
Gjithsesi, dallimi kryesor mes dy shkrimtarëve u vu re dhe u theksua në bisedat e Brozit. Sipas tij, Kërlezha ishte “më i ndërgjegjshëm në aspektin klasor”. Kjo në “përkthim” mund të nënkuptojë se ishte komunist më i mirë.
Dobrica Çosiqi i cila i ka përcjellë të gjitha këto ngjarje nga rreshti i parë, ka shkruar: “Tito ndjeu se Kërlezhës iu bë një padrejtësi dhe ai nuk ishte i lumtur – edhe pse Jugosllavia e kishte nobelistin e parë tek Andriqi”.
Tito e përsëriti këtë kur duhej të përgatiste një pritje zyrtare për Andriqin: “Për Zotin, si do t’ia dal me këtë? Kërlezha do të ofendohet. Çmimin Nobel duhet ta kishte marrë ai, jo Andriqi. E unë tash duhet ta përgëzoj Ivo Andriqin …”!
Bashkëpunëtorët e tij më të afërt disi e bindën se në aspektin politik nuk është gjë e zgjuar që të injorohet shkrimtari më i madh jugosllav, veçanërisht tashti kur ai është kaq i popullarizuar në botë. Çosiqi ishte veçanërisht i shkathët në këtë drejtim: “Tito më priti dhe i ngrysur i dëgjoi garancitë e mia për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e pritjes së Ivo Andriqit”, shkroi ai shumë vite më vonë.
Sidoqoftë, sipas kujtimeve të tij, vetë pritja ishte tamam një fatkeqësi: “Ishte vërtetë e mundimshme ajo shfaqje e imponuar nga ana e shtetit – në nderim të shkrimtarit të madh. Tito, zyrtarisht mareshal, Andriqi i ngurtë si ambasador dhe diplomat konvencional, Jovanka gazmore dhe kureshtare se si shkruan shoku Andriq, Milica Babiqi si zonjë e distancuar”.
Jo gjithçka përfundoi në atë pritje, meqë jo shumë kohë më pas Andriqit iu dha Urdhri i Republikës me Kurorë të Artë. Ishte ky një çmim i krijuar nga vetë Tito dhe i cili që nga viti 1960 jepej për meritat qytetare. Andriqi ishte një nga laureatët e parë.
Millica Babiqi, bashkëshortja e Andriqit, ka lënë një shënim interesant për këtë ngjarje:
10 tetor 1962
Në orën 7:15 thirrën në telefon; shoqja Kaça nga protokolli i K. E. [Këshilli Ekzekutiv] të Serbisë njofton se duhet të marr pjesë edhe unë në prezantimin e urdhrit me të cilin Tito do ta nderojë Ivon. I them se as Ivo dhe as unë nuk jemi informuar për këtë. Ajo tha se këtë do ta vërtetojë. Pas dhjetë minutave përsëri telefonoi dhe tha se makina do të vijë të na marrë në orën 9:30, për të shkuar në Rrugën e Uzhicës te Tito. Dikush ka harruar të informojë me kohë. Te Tito kishte lule, lule të cilat nga bahçja shkonin te të gjitha dhomat. Ne të dy mbërritëm pak më herët; e presim (Jovan) Veselinovin, (Krste) Cërvenkovskin dhe Dobricën (Çosiqin), por Tito hyn, na përshëndet dhe ulet me ne të dy duke i thënë Ivos: “Je pak më i ri se unë” – Ivo: “Askush në Jugosllavi nuk mund të jetë as më i ri as më i vjetër se ju”. Erdhën edhe të tjerët, ndahet dekorata me një gotë me shampanjë dhe më pas u ulëm për kafe, secili me një tabaka me një filxhan kafeje. Biseda – deri në 10.45; para nisjes, Ivo përsëri falënderon. Tito: “Epo, e ke merituar”.
Rreth asaj kohe, Andriqi dhe Millica e krijuan një shtëpi të re për veten, një shtëpi verore buzë detit në Herceg Novi. Shtëpia i përshtatej Andriqit për shkak të klimës dhe Millica e krijoi një kopsht mbresëlënës në të cilin lulëzonin 57 llojet e luleve.
Stevan Raiçkoviqi ka lënë një shënim për vizitën në atë shtëpi.
“U ulëm në tarracën e vogël në përdhes … Pas një bisede të shkurtër dhe një pauze të gjatë letargjike, e pyeta mikpritësin tim: A mund të shkruash këtu? Andriqi më shikoi si i befasuar dhe pas disa çasteve të hezitimit tha: ‘Shumë pak dhe shumë dobët … E sheh, gjithçka është kaq e bukur këtu … Nuk ka çka të shtohet … Dhe, do të ishte një mëkat për të hequr diçka’”.
Por, përkundër kësaj deklarate, Ivo Andriqi vuajti si kurrë më parë, sidomos pas vdekjes së gruas. “Çfarë do të bëj tash?”, ka thënë ai. Me vdekjen e saj ai në njëfarë mënyre ia dha fund edhe jetës së vet. I rrëmbyer nga mendimi i fundit, e dha edhe një lloj udhëzimi: “Nëse vdes diku rrugës, çojeni trupin tim në Beograd dhe atje më digjni …”! Megjithatë, nuk ishte e shkruar të pushonin së bashku.
Tito nuk shkoi në varrimin e Andriqit, por e dërgoi një kurore me lule. /Telegrafi/