Prokuroria e Tiranës thotë se një grua është “strumbullari” i një historie pengmarrjeje në zonën e Kasharit, në Tiranë. Jo vetëm aq, por 37-vjeçarja Denada Çezma akuzohet të jetë edhe porositësja e marrjes peng të një të njohurit të saj, Ermil S.
Për të kryer këtë, u ndihmua nga Shkëlqim Koçeku, i arrestuar, dhe Sulltan Piraçi, i shpallur në kërkim. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Çezma, nënë e një fëmije të mitur, i kishte marrë në kohë të ndryshme shuma parash borxh 31-vjeçarit Ermil S., duke i dhënë arsye të ndryshme, herë për kurimin e nënës së saj të sëmurë, e herë për probleme të tjera familjare. Nga hetimi ka rezultuar se pasi i ka marrë një total prej gati 30 mijë euro, Çezma ka ndërprerë çdo kontakt me 31-vjeçarin.
Duke u ndjerë i mashtruar dhe pa mundur të marrë paratë e tij, Ermil S. i ka dalë disa herë në rrugë gruas, e cila me pretendimin se po bezdisej prej tij ka kërkuar ndihmë tek i shpalluri në kërkim, Sulltan Piraçi. Ky i fundit, në bashkëpunim me Shkëlqim Koçekun, që ishte në “arrest shtëpie” për një tjetër çështje penale, e kanë marrë të riun kundër dëshirës së tij dhe e kanë çuar në një banesë, ku edhe e kanë dhunuar.
Sipas rrëfimit të tij, i riu edhe është detyruar të vishet si grua, skena që janë filmuar me qëllim shantazhimin e tij dhe për ta detyruar të hiqte dorë nga kërkimi i parave borxh tek Denada Çezmja.