“Si e kthyen gangsterët Shqipërinë në një shtet prodhues të kanabisit”. Kështu e nis prestigjiozja “The Times”, materialin ku i përshkruan kriminelet shqiptarë si me të rrezikshmit në Evropë.
Media përmend Moisi Habilajn dhe bandën e tij që u arrestuan në vjeshtë nga policia për trafikim të armëve dhe mbi 3.5 ton kanabis në Siçili, një biznes me vlerë prej 20 milionë eurosh në vit.
Duke cituar fjalët e një hetuesi italian gazetari Tom Kington shkruan se pavarësisht arrestimit të tyre fluksi i drogës nga përtej Adriatikut nuk është ndalur.
Në skajin tjetër të Evropës, në Britaninë e Madhe trafikuesi shqiptar Klodjan Copja e 41 të tjerë u burgosën për importimin e 60 milionë paund lëndë narkotike, duke shtyre policinë britanike të pohojë në një raport të fundit, së bandat shqiptare kanë një kontroll të konsiderueshëm të tregut të narkotrafikut në vend.
Me lidhje të drejtpërdrejta me furnizuesit kolumbian, gangsterët shqiptarë po fuqizohen gjithnjë e më shumë që prej daljes kaotike të vendit nga regjimi komunist, shkruan “The Times”, e cila përmend gatishmërinë e kryeministrit Rama për të bashkëpunuar me liderët evropian, lidhur me çështjen.
Kington thotë në artikullin e tij se reputacionin për dhunën ekstreme, shqiptarët e fituan pas emigrimit në Evropë e Amerikë në vitet 90-të dhe siç pohon, shumë prej tyre u punësuan si vrasës me pagesë nga familja mafioze Gambino në Nju Jork.
Për ta mbështetur këtë gazetari përmend bisedën e regjistruar të Habilajt pasi humbi një ngarkesë për shkak ndërhyrjes së policisë italiane. “Po të kisha një kallashnikov do t’i kisha ekzekutuar të gjithë”, shprehet ai.
Rishtazi, vijon artikulli, shqiptaret kane fituar reputacion për besueshmëri, pasi i dërgojnë ngarkesat në kohë e ruajnë një profil të ulët ashtu siç bënë në Lazarat, ku ndërtuan në heshtje një plantacion gjigant kanabisi.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë atje, ka pasur shumë pak arrestime të bosëve të drogës, të cilët e kthyen vëmendjen në hapjen e rrugëve të reja për në Evropë, nga Afganistani përmes Turqisë. Makinat e tyre luksoze vazhdojnë të popullojnë rrugët e Tiranës, shkruan “The Times”.