Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka kërkuar bashkëpartiakes Albena Reshitaj që të respektojë vendimin e partisë dhe të mos e votojë Vjosa Osmanin për presidente.
Kadrijaj, prmes një statusi në Facebook, ka thënë se si AAK kanë garuar me kandidatin e tyre për president dhe është shumë e pakuptimtë që të votojnë një kandidat tjetër.
Postrimi i plotë i deputetes Kadrijaj:
“Të gjithë e kuptojmë demokracinë dhe me plotë përgjegjësi po e them se në AAK vlerësohet e respektohet demokracia, mendimi dhe fjala e lirë. Por ndonjëherë uniteti brenda grupit parlamentar është shumë më i rëndësishëm se sa një veprim kundër qëndrimit të grupit.
Unë kërkoj nga kolegia ime, znj.Albena Reshitaj, ish kryetare e Komisionit për Shëndetësi që të reflektojë, dhe të mbrojë qëndrimet e partisë që ajo përfaqëson.
Ne si AAK, kemi garuar me kandidatin tonë për president dhe është shumë e pakuptimtë që të votojmë një kandidat tjetër!
Prandaj po e lus publikisht, për hir të qytetarëve që e vlerësuan dhe i besuan votën që të reflektoj, dhe te veprojë sipas vendimeve dhe qëndrimeve te partisë që përfaqëson në Kuvend”, ka shkruar Kadrijaj.
Ndryshe, Albena Reshitaj ka qenë deputetja e vetme nga AAK që ka marrë pjesë në seancën e së shtunës ku është votuar për presidentin e vendit.
Ajo ka thënë se në seancën e Kuvendit të Kosovës ka marrë pjesë në mënyrë që vendi të mos varet nga Lista Serbe.
Reshitaj ka thënë se nuk është larguar nga AAK.
“Nuk jam larguar nga AAK, kam mendim ndryshe. Ende i bëjë thirrje partisë, Grupit Parlamentar që të reflektojë dhe të jemi këtu. Besoj që edhe Ramush Haradinaj ndan mendim të njëjtë me mua. As AAK nuk është që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikohet shëndeti i qytetarëve”, ka deklaruar Reshitaj. /Telegrafi/