Justin Timberlake ka pranuar një sfidë të re. Ai ka nënshkruar që të jetë pjesë e dramës së re, “Palmer”, xhirimet e të cilës do të fillojnë në vjeshtën e vonshme.
Fisher Stevens është regjisor i filmit të ri, ndërsa producentë janë Charles B. Wessler, John Penotti e Charlie Corwin, si edhe Sidney Kimmel e Daniel Nadler.
“Palmer”, të cilën e ka shkruar Cheryl Guerriero, flet për një ish-fenomen të fakultetit të futbollit, i cili pas qëndrimit në burg, kthehet në qytetin e lindjes për ta rimëkëmbur jetën e tij.
Atje, ai përballet me problemet e mëdha nga e kaluara, si edhe me sfidat e reja pasi afrohet me një djalë, të cilin e ka braktisur nëna.
“Justin dhe Fisher i sjellin perspektivë këtij tregimi emocionues. Është e kohës moderne, si dhe një tregim interesant për rezistencën dhe fuqinë e mirësisë njerëzore”, kanë thënë producentët e filmit. /Telegrafi/