Një kandidat i ekstremit të djathtë, ka marrë një epërsi të papritur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë.
Me më shumë se 99% të votave të numëruara, ultranacionalisti Calin Georgescu kishte 23%, i ndjekur nga kandidatja e qendrës së djathtë Elena Lasconi dhe kryeministri social demokrat populist Marcel Ciolacu, favoriti parazgjedhor.
Shfaqja e fortë e Georgescu, i cili nuk ka parti të tijën dhe bëri fushatë kryesisht në platformën e mediave sociale TikTok, erdhi si surpriza më e madhe e zgjedhjeve, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Numërimi i fundit sugjeron se Lasconi është pak përpara Ciolacu me rreth 2,000 vota dhe do të përballet me Georgescu në një balotazh përfundimtar për presidencën në 8 dhjetor.
Komentatori politik Radu Magdin thotë se mbështetja për Georgescu ishte e paprecedentë, me sondazhet e mëparshme të opinioneve që e vendosnin atë në rreth 5% të votave.
“Asnjëherë në 34 vitet tona të demokracisë nuk kemi parë një rritje të tillë në krahasim me sondazhet”, ka thënë Magdin.
Fitorja e Georgescu, i cili bëri fushatë nën sloganin “Rikthe dinjitetin e kombit rumun”, është mirëpritur në mediat ruse.
Ai dënoi më parë mburojën e mbrojtjes raketore balistike të NATO-s me bazë në bazën ushtarake Deveselu në Rumaninë jugore si “një turp”.
Presidenti në Rumani ka një rol kryesisht simbolik, por një ndikim të konsiderueshëm në fusha të tilla si politika e jashtme. /Telegrafi/