Site icon Telegrafi

TikTok përballet me ndalim në SHBA, por Trump mund ta ndryshojë fatin e tij

Një projekt-ligj që kaloi Dhomën e Përfaqësuesve në mars dhe u nënshkrua nga presidenti Joe Biden në prill kërkon që kompania mëmë kineze e TikTok, ByteDance, t’ia shesë platformën një pronari amerikan deri më 19 janar 2025.

Nëse TikTok nuk është në pronësi të një kompanie amerikane nga ajo datë, aplikacioni do të ndalohet në SHBA, kanë vendosur një treshe gjyqtarësh.

Tani që Gjykata e Apelit e SHBA-së ka marrë vendimin, ndalesa tjetër është Gjykata Supreme.

“Ne e pranojmë se ky vendim ka implikime të rëndësishme për TikTok dhe përdoruesit e tij”, tha gjykata në një deklaratë.

“Por nëse platforma nuk gjen një pronar amerikan, nuk do të jetë efektivisht i disponueshëm në Shtetet e Bashkuara, të paktën për një kohë”, shtoi ajo.

Megjithatë, e gjithë kjo mund të marrë një tjetër kthesë befasuese, vetëm nga vendimi i presidentit të zgjedhur Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump tha: “Ne mund të ndalojmë TikTok”.

Kjo pasi platforma u akuzua për vjedhje të të dhënave personale nga abonentët dhe përpjekje për të ndikuar tek fëmijët dhe adoleshentët amerikanë.

Një muaj më vonë, republikani thuhet se kishte një marrëveshje “në koncept” për të shitur TikTok tek Walmart dhe Oracle.

Por presidenti shpejt humbi interesin me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Nuk dihet se pse ai e ndryshoi mendjen, por gjatë fushatës së 2024 tha se do ta shpëtonte aplikacionin, pavarësisht se e quajti atë një kërcënim për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të tij të parë.

Problemi është se afati i 19 janarit që TikTok t’i shitet një kompanie amerikane është një ditë përpara se Trump të inaugurohet.

Megjithatë, vendimi i gjykatës thotë se mund të jepet një zgjatje 90-ditore nëse ka shenja se po bëhet përparim në shitjen e TikTok nga ByteDance. /Telegrafi/

Exit mobile version