Trembëdhjetë shtete amerikane po padisin TikTok me pretendimet se po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve dhe nuk bën mjaft për t’i mbrojtur ata.
Paditë pretendojnë se aplikacioni për ndarjen e videove është krijuar për varësi dhe për t’i mbajtur adoleshentët pas ekranit.
TikTok tha se pretendimet ishin “të pasakta dhe mashtruese” dhe vuri në dukje veçori të tilla si koha e paracaktuar e ekranit dhe cilësimet e privatësisë për moshat nën 16 vjeç.
Bëhet e ditur se veprimi ligjor është një tjetër goditje për aplikacionin në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, e cila tashmë përballet me një ndalim të mundshëm nga SHBA për shkak të frikës se mund t’i japë të dhëna qeverisë së Pekinit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Të rinjtë po luftojnë me shëndetin e tyre mendor për shkak të platformave të rrjeteve sociale të varura si TikTok”, tha prokurorja e përgjithshme e New Yorkut Letitia James.
Ndër tjera, padia akuzon TikTok se ka shkaktuar “dëmtime të thella psikologjike dhe fiziologjike” – duke përfshirë depresionin, ankthin dhe dismorfinë e trupit.
Zëdhënësi i TikTok, Alex Haurek tha se ishte i shqetësuar që shtetet nuk kishin zgjedhur të punonin me shërbimin për shqetësimet e tyre.
“Ne nuk pajtohemi fuqimisht me këto pretendime, shumë prej të cilave besojmë se janë të pasakta dhe mashtruese”, tha ai.
“Ne jemi krenarë dhe mbetemi thellësisht të përkushtuar ndaj punës që kemi bërë për të mbrojtur adoleshentët dhe do të vazhdojmë të përditësojmë dhe përmirësojmë produktin tonë.
Ato që paditin janë: Kalifornia, Illinois, Kentaki, Luiziana, Masaçusets, Misisipi, Nju Xhersi, New York, Karolina e Veriut, Oregon, Karolina e Jugut, Vermonti, Uashingtoni, si dhe Uashington DC. /Telegrafi/