TikTok ka njoftuar se ka larguar llogaritë e lidhura me mediat shtetërore ruse.
Bëhet e ditur se ky veprim është pjesë e përpjekjeve të aplikacionit për të parandaluar dezinformimin në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.
Llogaritë e prekura janë ato nga grupi mediatik Rossiya Segodnya, i cili zotëron shërbimet e lajmeve RIA Novosti dhe Sputnik; dhe TV-Novosti, organi mëmë i kanalit të lajmeve RT.
TikTok tha se llogaritë ishin të kufizuara më parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE dhe se përmbajtja e tyre në mbarë botën ishte shënuar si media e kontrolluar nga shteti, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, tani kuptohet se ato janë ndaluar përgjithmonë.
Kjo pason një lëvizje të ngjashme javën e kaluar nga pronari i Instagram dhe Facebook, Meta, i cili ndaloi Rossiya Segodnya, RT dhe të tjerë për “aktivitet të ndërhyrjeve të huaja”.
Ndryshe, ndalimet vijnë pasi SHBA-ja ngriti akuza këtë muaj kundër dy punonjësve të RT-së për gjoja përpjekje për të punësuar një kompani amerikane për të prodhuar përmbajtje në internet për të ndikuar në zgjedhje.
Në korrik, Departamenti Amerikan i Drejtësisë mbylli gjithashtu rreth 1,000 llogari për të cilat tha se ishin krijuar për të përhapur dezinformimin rus. /Telegrafi/