Site icon Telegrafi

“Tifozët tanë ishin viktima” – Real Madridi kërkon përgjigje për kaosin e ndodhur në finalen e Ligës së Kampionëve

Real Madridi ka kërkuar përgjigje nga autoritetet për kaosin e finales së Ligës së Kampionëve në Stade de France pasi sipas tyre organizimi i dobët bëri që tifozët e tyre të jenë viktima.

Los Blancos fituan 1-0 ndaj Liverpoolit në ndeshjen e 28 majit falë një goli të Vinicius Junior në pjesën e dytë, duke fituar për herë të 14-të çmimin më prestigjioz evropian për ekipe.

Megjithatë, gara u dëmtua nga ngjarje të rrezikshme jashtë stadiumit, me fillimin e ndeshjes që vonoi 30 minuta pasi një numër i madh tifozësh hynë me forcë pa bileta.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe sprej ndaj mbështetësve të mbetur të bllokuar jashtë stadiumit, pavarësisht se kishin bileta të vlefshme për ndeshjen, ndërsa të tjerët u panë duke kapërcyer barrierat për të ‘vjedhur’ hyrjen në stadium.

Lexo po ashtu Disa video kur policët hedhin sprej në drejtim të tifozëve të Liverpoolit

Pas këtyre ngjarjeve, Real Madridi ka lëshuar një deklaratë zyrtare duke kërkuar një shpjegim të plotë për skenat e shëmtuara, ku tifozët e tyre ishin viktima.

“Në dritën e ngjarjeve fatkeqe që ndodhën më 28 maj në rrethinat dhe në pikat e hyrjes në Stade de France, madje edhe brenda vetë stadiumit, Real Madrid CF dëshiron të shprehë mbrojtjen e tifozëve tanë, të cilët ishin viktima të ngjarjeve të përmendura”.

“Do të donim të dinim arsyet që çuan në zgjedhjen e këtij vendi për të pritur finalen dhe kriteret e përdorura, duke marrë parasysh eksperiencat e asaj dite”.

“Për më tepër, ne bëjmë thirrje për përgjigje dhe shpjegime për të përcaktuar përgjegjësit për lënien e tifozëve të braktisur dhe të pambrojtur. Tifozët që në përgjithësi treguan sjellje shembullore në çdo kohë”.

“Ne besojmë se diçka që duhet të ishte një festival i mrekullueshëm futbolli për të gjithë tifozët që ndoqën ndeshjen, u shndërrua shpejt në një seri ngjarjesh fatkeqe që kanë shkaktuar një ndjenjë zemërimi në mbarë botën”.

Lexo po ashtu UEFA fillon hetim të pavarur për finalen e Ligës së Kampionëve

“Siç ishte evidente në imazhet zbuluese të publikuara nga mediat, disa tifozë u sulmuan, ngacmuan, terrorizuan dhe grabitën në mënyrë të dhunshme. Këto dukuri vazhduan teksa lëviznin në makinat apo autobusët e tyre, duke shkaktuar shqetësim për mirëqenien e tyre fizike. Madje disa tifozë kishin për të kaluar natën në spital si pasojë e plagëve.”

“Futbolli i ka transmetuar botës një imazh që është shumë larg vlerave dhe synimeve që duhet të ndjekë”.

“Tifozët dhe mbështetësit tanë meritojnë një përgjigje dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi në mënyrë që ngjarje si këto të zhduken nga futbolli dhe sporti në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e Real Madridit. /Telegrafi/

Exit mobile version