Tenisti legjendar zviceran, Roger Federer, fundjavën e ardhshme duhet të luajë ndeshjen e fundit në karrierë, por nëse ia lejon lëndimi.
41-vjeçari njoftoi zyrtarisht se po i jep fund karrierës së tij madhështore në tenis pak ditë më parë. Për turneun e fundit ai zgjodhi Laver Cup në Londër, i cili luhet në fundjavë, por tashmë kanë dalë informacione se performanca e tij është e dyshimtë.
Një nga tenistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave iu është nënshtruar tri operacioneve në gju dhe ka luajtur ndeshjen e tij të fundit në Wimbledon vitin e kaluar. Dukej se dëmtimi ishte pas tij, por pak para paraqitjes në Laver Cup, dhimbja iu rikthye.
Se gjërat janë serioze e vërtetoi edhe fakti se për lëndimin ka folur edhe njeriu që është më i informuari për shëndetin e Federerit, e ai është trajneri i tij personal, Pierre Paganini.
“Ai do të vendosë në momentin e fundit nëse mund të luajë”, është shprehur shkurt Paganini për Blick.
Në një deklaratë emocionuese, Federer tha se trupi i tij nuk e lejon ta vazhdojë më karrierën.
Në ndërkohë, në faqet e specializuara për shitjen e biletave për ngjarjet sportive u shfaqën informacione se biletat për ndeshjen e fundit të Federerit shkonin deri në 80.000 euro.
Këto janë bileta për ulëse elitare në kutitë ceremoniale, ku duan të ulen të gjithë ata që janë të njohur në botën e sportit dhe argëtimit. /Telegrafi/