Telegrafi

Tifozët e UFC-së dyshojnë se triumfi 40-sekondësh i McGregor ndaj Cerrone ishte i montuar dhe kërkojnë t’u kthehen paratë

Conor McGregor (Foto: Steve Marcus/Getty Images/Guliver)

Disa tifozë të UFC-së janë shprehur të pabindur me triumfin e shpejtë të Conor McGregorit ndaj Donald Cerrone, në rikthimin e tij në tetëkëndësh.

Irlandezit të famshëm i mjaftuan 40-të sekonda për ta nokautuar kundërshtarin e tij, mirëpo ka të tillë që mendojnë se gjithçka ishte e montuar.

Lexo po ashtu Conor McGregor rikthehet me fitore në UFC, triumfon me nokaut pas vetëm 40 sekondave ndaj Donald Cerrone

Për më shumë, edhe ylli i MMA-së, Nate Diaz, e ka etiketuar këtë meç si fals, përkundër se McGregor shfaqi dominim të madh.

(Foto: Steve Marcus/Getty Images/Guliver)

31-vjeçari u kthye në tetëkëndësh pas mungesës 15-muajshe (meçi i fundit ishte ndaj Khabib Nurmagomedov në vitin 2018), ndërsa fitorja në T-Mobile Arena të Las Vegasit ishte e para pas tri vitesh.

Sidoqoftë, triumfi i tij në kuadër të ‘UFC 246’ nuk i ka bindur të gjithë, ashtu që përdorues të shumtë i kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë dhe kanë kërkuar kthimin e parave që i kanë paguar për ta shikuar këtë meç.

(Foto: Steve Marcus/Getty Images/Guliver)

Nga ana tjetër, ka edhe të tillë që thonë se nuk ishte e montuar, porse Cerrone nuk ishte në nivelin e McGregor, prandaj ky duel ishte një dështim. /Telegrafi/