Telegrafi

Tifozët e Milan protestojnë, Berlusconi i fton në shtëpi

Ultrasit e Milan-it janë kthyer të protestojnë kundër drejtuesve të klubit.

Pas një vere të qetë, ku zemra e tifozerisë milaniste është dëgjuar vetëm 6 korrikun e kaluar, për të dhënë miratimin mbi shitjen e klubit dhe për të kërkuar përsëri largimin e Adriano Galliani-t, janë mbledhur mbrëmjen e djeshme para “Villa San Martino”.

Tifozët nuk janë aspak të kënaqur me mënyrën se si po menaxhohet shitja e klubi, ndërsa firma për shitjen paraprake po shtyhet javë pas jave dhe merkato që vazhdon të jetë e bllokuar.

Lexo po ashtu Këtu mund ti lexoni të gjitha lajmet rreth Milanit

Kështu, rreth 200 tifozë janë grumbulluar jashtë rezidencës së Silvio Berlusconi-t, duke kërkuar një sqarim nga ana e drejtuesve. Në shënjestër, si gjithmonë, ka përfunduar Adriano Galliani.

“Kush janë këta kinezët?”, “Mjaft u tallët”, “Galliani, Milano të urren”, “Respektoni tifozët tuaj”, “Kërkojmë sqarime për të ardhmen”, “Galliani je shkatërrimi i Milan”. Këto kanë qenë disa nga shkrimet që përmbanin pankartat e tifozëve.

Presidenti Berlusconi ka pritur tre prej tyre në shtëpi për një ballafaqim: pas tridhjetë minutash tifozët kanë dalë nga shtëpia e presidentit të Milan dhe i kanë thënë të tjerëve se kanë marrë sqarimin e kërkuar.

Gjatë këtij ballafaqimi, presidenti duket se i ka konfirmuar atyre qëllimin për të shitur klubin, por ka theksuar edhe se mbyllja me sukses e këtij operacioni varet nga qëllimet që ka grupi kinez, i kryesuar nga Sonny Wu.