Fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë përveç që ka gëzuar shqiptarët anë e kënd botës, ajo ka prekur edhe zemrat e shumë fansave të huaj që kanë shprehur respektin për paraqitjen e Kuqezinjëve.
Në faqen e UEFA-s në Facebook fansa nga e gjithë bota e kanë uruar Shqipërinë për pasionin dhe sakrificën e madhe që kanë bërë në këtë Evropian, transmeton Koha.net. Madje edhe shumë fansa të Rumanisë kanë uruar Shqipërinë për fitoren.
Shqipëria mbrëmë arkëtoi pikët e plota në përballje kundër Rumanisë falë golit të shënuar nga Armando Sadiku dhe një paraqitje fantastike ekipore.
Fansi rumun Gabriel Mihai ka shkruar se nuk është i lumtur për humbjen e Rumanisë, por që luajtën kundër një ekipi me shumë zemër, kurse i ka uruar Shqipërisë kualifikim për në fazën tjetër.
“Si rumun nuk jam i lumtur për humbjen, por luajtëm kundër lojtarëve që luftuan me zemër. Shpresoj që të kualifikoheni në fazën tjetër”, ka shkruar Mihai.
Ndërsa fansi nga Sllovenia Grega Sketa jep respekt të madh për Shqipërinë, i cili komentoi në disa foto që Uefa i kishte publikuar pas takimit.
“Çfarë mund të them për këto fotografi? Mirë… po shoh gjithçka që më pëlqen rreth futbollit, ekipin e vërtetë, me një zemër të madhe dhe me shumë pasion. Ky është shembull për të gjithë se si duhet të përfaqësohet vendi/kombi. Kënaquni me fitoren e merituar”, ka shkruar Sketa.
Madje urimet nuk munguan as nga India e Argjentina.
“Kam parë lot në stadium kur mbetën me 10 lojtarë në fushë në ndeshjen e parë, të cilën e humbën duke luftuar. Më pas luajtën kundër Francës dhe vazhduan të luftojnë si ushtarë të vërtetë. Bravo djema. Duket se lojtarët i respektuan këta lot, të gjitha të mirat me shumë dashuri nga India”, ka shkruar Keroles Emil.
“Urime të gjithë shqiptarëve për këtë ekip të madh, me respekt të sinqertë nga Argjentina”, ka shkruar Fernando Gabriel.
Ndërsa një fans tjetër mendon se tani Shqipëria duhet të jetë edhe në Botëror.
“Urime Shqipëri. Shpresoj të kualifikoheni, nëse jo, duhet të jeni krenar me atë që keni bërë, ishit të pafat në dy ndeshjet e para. Tani duhet të jeni gati për kualifikimet e Botërorit, sepse vërtetë e meritoni të jeni aty”, ka shkruar Med All.
Kurse dy tifozë të tjerë rumun kanë uruar Shqipërinë për fitoren dhe “zemrën e madhe”.
“E dëshiruat fitoren më shuam se Rumania. Urime, nga një rumun”, ka shkruar Sergiu Pascu.
“Zemra më e madhe gjithmonë do të fitojë. Urime nga Rumania”, ka shkruar Madalin Dragnea.
Përveç tyre, urimet nuk munguan edhe nga miqtë e Shqipërisë, Kroacia e Turqia. Madje një fans i Kroacisë kishte shkruar me shaka se “shihemi në finale Shqipëri”.