Grupi i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ) ka publikuar një listë të kërkesave dhe ankesave drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Në mesin e shqetësimeve kryesore është mungesa e transparencës në shpërndarjen e biletave për ndeshjet e kombëtares dhe organizimi i Kampionatit Evropian për U21 në vitin 2026 me Serbinë.
Sipas tyre, procedurat aktuale janë të pandershme, duke neglizhuar tifozëritë e organizuara që prej vitesh kanë qenë shtylla e mbështetjes për ekipin kombëtar.
TKZ thekson se shpërndarja e biletave nuk është e drejtë dhe se tifozëritë e organizuara po përjashtohen në mënyrë të qëllimshme. Kjo sjell një dëm të madh për motivimin e grupeve të tifozëve dhe për atmosferën në stadiume.
Një nga incidentet më shqetësuese është marrja e biletave të tyre nën pretekstin e “Gjithëpërfshirjes”, pa asnjë komunikim zyrtar, një veprim që TKZ e quan si hakmarrje për qëndrimin e tyre kritik ndaj bashkëpunimit me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 2027.
Një nga pikat më të ndjeshme të kritikës është bashkëpunimi i FSHF-së me Serbinë për të organizuar këtë turne. TKZ e quan këtë bashkëpunim si “të papranueshëm” dhe “thellësisht shqetësues”, duke theksuar se Serbia ka një histori të errët të dhunës dhe armiqësisë ndaj shqiptarëve.
Më poshtë i gjeni ankesat dhe kërkesa e plotë të tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi”.
Pikat tona të kritikës:
1/ Mungesa e transparencës në shpërndarjen e biletave:
- Procedurat aktuale të shpërndarjes duken të rastësishme dhe të pandershme. Tifozeritë e organizuara si TKZ, të cilat prej vitesh e mbështesin Kombëtaren me shpirt e zemër, po neglizhohen ose po diskriminohen.
2/ Shkelja e strukturave të vendosura të tifozërisë:
- Në vend që të pranohen tifozëritë e organizuara si një pjesë thelbësore e kulturës së mbështetjes, po përjashtohemi përmes mungesës së komunikimit dhe shpërndarjes së padrejtë të biletave. Kjo jo vetëm që dëmton motivimin e grupeve të tifozëve, por edhe atmosferën në stadiume.
- Veçanërisht shqetësuese është se na janë marrë biletat nën petkun e “Gjithëpërfshirjes” pa asnjë komunikim zyrtar. Ky hap nga ana jonë konsiderohet qartësisht si hakmarrje për qëndrimin tonë kritik ndaj bashkëpunimit me Serbinë për organizimin e Kampionatit Europian U21 2027.
3/ Bashkëpunimi me Serbinë për Europianin U21 2027:
- Mbështetja e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për një bashkëpunim me Serbinë është e papranueshme dhe thellësisht shqetësuese për ne.
- Një bashkëpunim me një shtet që në të kaluarën e afërt ka kryer masakra të tmerrshme ndaj popullit shqiptar dhe që vazhdon të shfaqë armiqësi të hapur ndaj shqiptarëve, përbën një shkelje të çdo etike dhe norme morale.
- Vendimi për të çuar përpara këtë bashkëpunim pa asnjë konsultim me tifozëritë e organizuara tregon për një mungesë respekti dhe përgjegjësie ndaj të gjithë atyre që prej vitesh qëndrojnë pasionuar pas Kombëtares.
Kërkesat tona:
1/ Një sistem transparent dhe i drejtë për shpërndarjen e biletave, që merr parasysh interesat e tifozerive të organizuara.
2/ Dialogje të rregullta mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe grupeve të tifozëve për të identifikuar problemet në kohë dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
3/ Natyrisht, ne kërkojmë me forcë që kjo bashkëpunim me Serbinë të mos realizohet dhe të ndërpritet menjëherë, pasi është një fyerje e rëndë ndaj gjithë tifozëve shqiptarë dhe një akt që bie ndesh me çdo parim moral e kombëtar.
/Telegrafi/