Po bëhen 140 vjet qëkur këto fjalë u shqiptuan me atdhetari e dashuri nga Naimi ynë i madh, në poemën e tij të mirënjohur “Bagëti e Bujqësi” dhe janë po aq aktuale dhe sot, pavarësisht se në tjetër kontekst, po fundja kjo është fuqia e artit të vërtetë.
Menduam t’ia kushtojmë këto radhë ditës së parë të shkollës, këtu dhe në Kosovë, paçka se në cilën datë fillon fiks mësimi, me dëshirën që edukimi me idealin e Atdheut, shqiptarisë, të ngrihet në një tjetër nivel formues gjatë këtij viti shkollor. E themi herë pas here, se shkolla, arsimi është institucioni më pak i prekur nga korruptimi moral. Prandaj vërtetë kambanat bien për të gjithë, sa i përket atij që po e quajmë edukimi atdhetar, por mbase vetëm aty dëgjohen! …
E keni vënë re? Ikin politikanët nga politika dhe nuk shihen më të përfshihen në jetën e vendit, qoftë dhe duke dhënë mendime për problematika të ndryshme të zhvillimit. Aq më pak shtetarët, qeveritarët, ministrat, deputetët, që shumicës iu harrohen emrat pas ca kohësh. Kurse mësuesit e pedagogët janë te “dera” e shkollës me mendje e me zemër, dhe kur nuk janë më pjesë e saj, për arsye nga më të ndryshmet, ashtu si dhe mjekët që sërish gjenden pranë spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Me këshilla, me ide, me propozime etj. Pedagogia e gjuhës angleze, Zana Lita, e njohur si autore tekstesh dhe menaxhuese projektesh në fushën e arsimit, prej vitesh në Kanada, shkruante këto ditë: “Shqipëria është një vend i vogël, i bukur, me potencial për turizëm dhe shqiptarët nisur nga kjo nevojë, duhet të mësojnë gjuhët e huaja. Çdo shqiptar duhet të kthehet në një guidë turistike për t’ua bërë të njohur të huajve historinë, kulturën, ekonominë, bukuritë e vendit të vet, qofshin këto në fshat, qytet, kryeqytet”.
Aq më tepër, që kjo verë tregoi se si mund t’i japim ne shqiptarët nder Shqipërisë dhe si ajo mund të na japë neve nder, emër të mirë në rajon dhe të ardhura më të mëdha, nga vërshimi i turistëve si asnjëherë tjetër, nga Joni në Alpe. Ia vlen të shqiptohet e promovohet me krenari ky bum turistik i vendit tonë, që u kurorëzua me ardhjen e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, në Vlorë për dy-tri ditë pushime, por dhe çdo resurs tjetër ekonomik, kulturor në trojet shqiptare, çka e bëjnë mirë e bukur shqiptarët e Vjenës, të cilët në revistën e tyre “Albinfo” shkruajnë: “Të gjitha rrugët të çojnë drejt vendlindjes”, “Diaspora, burim i pashtershëm për ekonominë e Kosovës”, “Bregdetit shqiptar ia mësyjnë dhe austriakët” etj.
Po si shpjegohet që Shqipërinë e duan me mish e me shpirt emigrantët, ku shumë prej tyre zor se kthehen më për të jetuar këtu dhe nuk e duam sa duhet ne që jemi (sh)përdoruesit e pasurive shqiptare, të fushës, malit, detit, rrugëve, mineraleve, ujërave etj.? Ne me të ikurit tanë nuk kemi të përbashkët vetëm festën e Flamurin më 28 nëntor dhe pushimet e verës, po krejt trashëgiminë tonë historike. Mirëpo, kjo është një fjalë goje, përderisa ende nuk i kemi bërë pjesë të kutive të votimit, pasi për psikologjinë tonë ata tashmë janë të “huaj” …
“Ti Shqipëri më jep nder”, është thirrja e përzemërt e shqiptarëve, edhe e atyre të rinjve që shtrëngohen të marrin rrugët e botës, të cilat nuk ua jep Atdheu, por qeverisja pa perspektivë e pa prodhim vendas, mungesa e rendit publik dhe e sigurisë së jetës dhe shumë mungesa të tjetra, që në Evropë janë standarde të paprekshme. Nuk ndodh që atje të rritën çmimet dhe mos të rritën më parë rrogat dhe të ardhurat, që njerëzit të mos kenë para për bukë dhe ilaçe etj.
Ti Shqipëri më jep nder … dhe jo kulla të larta në mes të Tiranës, në vend të parqeve. Pamë kryeministrin të mbante një fjalim të gjatë për kullën e fundit, projektuar nga danezët, që do të ndërtohet në sheshin mbas Pallatit të Kulturës, i vetmi që kishte mbetur pa u zënë qysh nga “Gropa Sejdia”, njolla e parë e tranzicionit në kryeqytet. Foli e shkroi për të sqaruar popullin sigurisht. Si është e mundur që ky popull nuk i kupton direktivat e udhëheqjes? Nuk i kuptoi as në rastin e prishjes së Teatrit Kombëtar! … Nëse kreu i qeverisë do të ishte duke vënë aty gurin e parë të një parku çlodhës e argëtues, apo të ringjalljes së Pazarit të Vjetër, që të lidhej me Pazarin e Ri, siç propozon dikush, do ta kishim “duartrokitur”, edhe pse është detyrë e qeverisë të krijojë sa më shumë hapësira të blerta, parqe, lulishte, të mbjellë lule e pemë e jo të zërë dhe ato hapësira që janë.
Ti Shqipëri më jep nder … dhe jo ngastra hashashi në male e “pika” shitje të drogave në baret rreth e qark shkollave 9-vjeçare e të mesme, fakulteteve të universiteteve etj., nën hundën e policisë së shtetit dhe asaj bashkiake, që shpejton të largojë nga qoshet e qyteteve tregtarët e vegjël të tezgës me prodhime kopshti, se këta të fundit na “ndotin” mjedisin, paçka se shesin prodhime bio? As kaq “nder” nuk u bëhet fermerëve, për të cilët Ministria e Bujqësisë thotë përditë fjalë “dashurie”, por vetëm fjalë, pasi atyre iu kalben prodhimet në fushë …
Ti Shqipëri më jep nder … dhe jo mungesë shprese për të nesërmen, se ky vend nuk mund të bëhet. Na ka befasuar recitimi aq i shpeshtë i vjershës historike “O moj Shqypni” të Pashko Vasës, në veprimtari të ndryshme shkollore, por kemi mbetur pa “mend” kur një 80-vjeçar po e kërkonte ndër librat shkollorë ta mësonte përmendësh!? … Çudi mund të duket, por nuk është tejkaluar as “Poema e Mjerimit” e Migjenit në shumë rrethina qytetesh e fshatra, poezi që recitohej me patos dhe në vitet e “socializmit”, ndoshta jo aq për të fshikulluar kohën e Zogut, porse aty njerëzit gjenin veten.
Ti Shqipëri më jep nder! … Bëj që këto fjalë kaq hyjnore të shqiptohen dhe nga politikanët dhe shtetarët tanë, dy shekuj pas Naimit të ndritshëm, të cilët sa herë bie fjala, shprehen entuziastë për të arritjet në fusha të ndryshme, pasi është dhe ndihmesa e tyre në to, por përjashtojnë kategorikisht nga vetja, nga qeveria dhe qeverisja të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur këtij vendi, me ata në krye, si inceneratorët etj. Sipas tyre, për të mirat ngazëllimi është kolektiv, ku dhe mund të kërcejmë dorë për dorë në sheshin e fshatit, kurse për korrupsionin qeveritar përgjegjësia është veçse individuale!? A thua se ministrat nuk ishin pjesë e qeverisë, para se të ishin “klientë” të SPAK-ut. Po a keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë kryeqeveritar të thotë “na falni”, “gabuam” me këtë apo atë projekt, investim etj.? Ndaj, Shqipëri e dashur, bëj që të rrëzohen pa dhimbtë qeveritë, të bien kur punët e shtetit kapërthehen nga korrupsioni e dallaverja. Italia fqinje, Anglia e të tjerë, kanë ndërruar nga 3 apo 4 kryeministra në këto dhjetë vjet, ndërsa këndej nga ne, mos o Zot, kjo do të ishte një dramë kombëtare, ashtu si bie fjala në Turqi a diku tjetër.
Shqipëria ime, bëj që administrata shtetërore të shpëtojë nga shkresomania sfilitëse, letra pas letrash për çdo gjë dhe, ndërkohë, punë pak! Nuk ka zyrtar, nëpunës që nuk ankohet “na mbytën letrat”! I duan ata atje lart! Kur ua shtrëngon në këtë mënyrë, kuptohet që shqetësimi i tyre nuk është si të bëjnë punën, por si të “qëndisin” sa më mirë letrat! Dhe a e dini, ato thuajse nuk lexohen nga askush! Janë letra bakalli … Në thelb, ky është një falsifikim i vetë shtetit, pasi tjetër është gjendja në letra dhe tjetër në realitet. Kjo praktikë burokratike është shtrirë deri te mësuesi, i cili detyrohet të plotësojë shkresa pafund, formularë, pasqyra me të dhëna të ndryshme, gjer “argumentim” i notës me shkrim etj. që kinse lidhën me kompetencat e të mësuarit, përformancën e klasës, shkollës etj. Paradoksi, shkollat përherë e më shumë burokraci dhe përherë e më pak kabinete mësimore!?
Doemos që të gjitha këto dihen, janë thënë e stërthënë me dhjetëra herë, por askush nuk dëgjon, aq më tepër që vendi ynë pati fatkeqësinë të mbetej pa opozitë. Atëherë tash për tash ka vetëm një shpresë, shkolla, pavarësisht problematikave të saj. Ajo nuk ka fuqi të ndalë ikjen e shqiptarëve, të vendosë rendin publik, të luftojë korrupsionin, të mbjellë me grurë fushat naimjane të lëna djerr nga tranzicioni. Por, sado e brishtë në dukje, ajo mund ta bëjë ndryshimin, duke përmirësuar kurrikulën e edukimit kombëtar. Natyrisht, shkolla nuk mund ta bëjë këtë duke ekspozuar byrekë në sheshe publike, kinse po përtërinë traditat e të parëve. Ky soj patriotizmi “folklorik” nuk është as në nivelin e punëve praktike të dikurshme, kur fëmija mësonte të bënte diçka sado të thjeshtë me duart e tij dhe jo si sot që “gatuan” me duart e mamit … Duket se politikat arsimore, kulturore në shekullin XXI çalojnë nga klasat e fillores te Teatri Kombëtar dhe folku i trumbetuar sot, deri në Gjirokastër, po i hyn në hak modernes në muzikë, teatër etj. Të përpiqesh të mbrosh kulturën tënde përballë ”ortekut” të globalizmit është domosdoshmëri, por a shkon kjo që po bëjmë përtej formalizmit, dekoratives, fotografisë me qeleshen e gjyshit? Ndryshe ndodh atje ku është realisht “skena” e folklorit, performimi i tij në dasmat moderne, agroturizmin e kullave – bujtina, shfaqjet popullore fshatçe me turistët e huaj, kremtimet në terren të festave të ndryshme tradicionale, rituale, si në Kelmend, Mat, Mirditë, Dajt, Elbasan, Pilur, Ziçisht, diasporë etj.
Edukimi shkollor me frymën e Atdheut është shumë më konceptual dhe përmbajtjesor se ngjyrosja me folklor. Formulën e tij e kemi të gatshme që nga Rilindja, të pavjetëruar e tejkaluar, pasi rilindasit ishin formati i intelektualëve europianë dhe ideali i tyre ishte ai i Heroit Kombëtar. Naimi i kërkon Shqipërisë që t’i japë nder dhe “emrin shqiptar”, ku për ta fituar me dinjitet këtë emër, ai shkroi poema kombëtare lavdithurëse dhe vjersha didaktike për shkollarët. E kemi te Fishta, që shkroi epopenë “Lahutën e Malësisë” dhe hapi shkolla shqipe në fillimet e shekullit XX etj., kur ende ishte perandoria otomane. E kemi te Noli, mishërimi i diturisë së historisë, poezisë, teologjisë dhe sidomos përkthimit të autorëve më të shquar botërorë etj. E kemi te Konica, që dimensionin kulturor shqiptar e shpërfaqi me elitën nga Anglia e Belgjika deri në Amerikë, si shkrimtar, botues dhe ambasador. Ne e dimë se çfarë mrekullie bëri për shkollën shqipe Shoqnia “Bashkimi” e Prend Doçit, që thirrej nga bashkëkohësit akademi, por nuk dimë çfarë bën sot Akademia e Shkencave për shkollën dhe edukimin në shoqërinë e hapur globale.
Rilindësit e bënë Shqipërinë me shtet, me flamur, me alfabet, me diplomaci, me gazeta dhe revista, me libra shqip, me gramatika, fjalorë, histori, gjithçka, mbasi ata ishin programuar si misionarë kombëtarë. Mund të përmendnim dhe të tjerë korifenj të arsimit dhe diturisë, letërsisë dhe shkencës, si Gurakuqi, Koliqi, Malëshova, Xhuvani, Çabej, Kadare etj. dhe ajo që mund të thuhet është: Themelet i kemi, po më tej, çfarë? … Kemi tridhjetë e tre vjet që idenë dhe emrin e Rilindjes i kemi sërish nga “Rilindja Demokratike” te “Rilindja” socialiste, por pa mundur të rilindnim. Sepse a mund të rilindë Shqipëria me kulla dhjetrakatëshe në Tiranë dhe e braktisur e pa njerëz në krejt territorin malor, nga Leskoviku në Has!? …
Shkolla po, nëse asaj i jepen nga shoqëria të gjitha tagret që i përkasin, aq më tepër që klasa politike ka dështuar dhe i duhet të rilindë më parë veten. Dituria e ka rilindur Shqipërinë në fillimet e shekullit XX, mund ta rilindë dhe në fillimet e shekullit XXI. E në këtë vështrim, lutja jonë drejtuar Shqipërisë do të ishte sërish ajo e gjashtëqind vjetëve më parë, bëj që Formula e Pagëzimit të na ndriçojë për ta filluar edukimin nga gjuha jonë e bekuar, shqipja.
Më 1462, “engjëlli i saj”, Imzot Pal Ëngjëlli i Drishtit e Durrësit e ruajti shqipen nga zhbimja e sunduesit, duke e shkruar në rrasa guri, përgemena, ungjij dhe akte pagëzimi të fëmijëve të Matit, kurse sot na duhet të bëhemi të gjithë “engjëj” të saj, që të mos e vrasim pa dashje përmes gjuhës së “cunguar” të elektronikës, ku shkruajmë me gjysma fjalësh, pa i vënë pikat mbi ë … dhe mbi i. Shkolla, me edukimin gjuhësor, është e vetmja që ka forcën për ta mbrojtur gjuhën dhe më shumë se vetë ligji, pasi ajo dhe e zhvillon dhe pasuron ligjërimin …