Spektakli i Big Brother VIP Albania u shoqërua me tensione të larta gjatë episodit të fundit, kur aktori Laert Vasili dhe reperi Gjesti patën një përplasje të ashpër verbale.
Debati shpërtheu si pasojë e një mosmarrëveshjeje që Gjesti kishte pasur më parë me konkurrentin tjetër, G Bani, dhe që përfshinte gjithashtu Valbonën, një tjetër banore e shtëpisë.
Laerti, i revoltuar nga sjellja e Gjestit, ngriti zërin dhe e kritikoi me tone të ashpra, duke shprehur pakënaqësinë e tij për veprimet dhe qëndrimin e tij brenda shtëpisë.
Në një moment dramatik, aktori iu drejtua Gjestit: “Do e përmendësh me respekt, pse? Dëgjo pak, femra ishte objekt, ne kishim Mbretëreshën Teutë dhe ishte e shenjtë. Ti na shkatërron gjumin, ti tallesh me ne, ti provokon njerëzit dhe nuk e përfaqëson ti Kosovën. Kosovën e përfaqëson Isa Boletini, Kosovën e përfaqësojnë martirët e UÇK-së, jo ti që ke ardhur të tallesh me nderin e motrave tona. Turp i madh”.
Këto fjalë ndezën një atmosferë të tensionuar në shtëpinë e famshme, duke ndarë mendimet e banorëve të tjerë dhe të publikut. Disa e mbështetën qëndrimin e Laertit si një mbrojtje e vlerave kombëtare dhe respektit për gratë, ndërsa të tjerë kritikuan tonin e tij të lartë dhe qasjen konfrontuese.
Debati mes dy konkurrentëve ka nxitur diskutime të gjera në rrjetet sociale, me shumë ndjekës të spektaklit që shprehin mendimet e tyre për sjelljen e Gjestit dhe për mënyrën se si Laerti zgjodhi të reagojë ndaj saj. /Telegrafi/