Telegrafi

“Ti je pjesë e Atdheut”: Kryeministri kërkon të regjistrohet diaspora

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, iu ka bërë thirrje diasporës që të regjistrohen gjatë kohës kur do të vijnë në Kosovë.

“Të dashur bashkatdhetarë nga diaspora,

Në kuadër të ditëve të diasporës, sot në Kosovë ka filluar fushata “Ti je pjesë e Atdheut”, me fokus në regjistrimin e diasporës. Andaj, duke ju uruar qëndrim të këndshëm në Kosovën tuaj, ju inkurajojmë që të regjistroheni në mënyrë që të fuqizojmë në të gjitha aspektet bashkëveprimin me ju. Ju, bashkatdhetarët tanë, jeni vlerë e jashtëzakonshme e Kosovës.

Kosova tashmë ofron mundësi të mëdha që diaspora të jetë e përfshirë në të gjitha aspektet në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore e akademike.

Po ashtu, më lejoni t’ju them se gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë, institucionet lokale dhe qendrore do të kenë kujdes të posaçëm që të jenë në shërbimin tuaj për t’ju ofruar shërbimet e nevojshme.

Të premten vizituam Fabrikën Kosovatex, pronë e biznesmenit të njohur shqiptar në diasporë, Lazim Destani, ndërsa në veçanti gjatë këtij muaji, do të vazhdojmë aktivitetet dhe takimet me bashkatdhetarët tanë.

Bashkë e çliruam dhe e pavarësuam, së bashku do ta bëjmë Kosovën shtet të fuqishëm, të integruar në strukturat euroatlantike dhe të zhvilluar ekonomikisht.

Ju jeni pjesë vitale e Atdheut!”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.