Site icon Telegrafi

Thuhet se lëndoi kokën në një aksident në shtëpi, Lula i Brazilit anulon udhëtimin në samitin e BRICS në Rusi

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva anuloi të dielën udhëtimin e tij në Rusi për samitin e BRICS, pas këshillave mjekësore për të shmangur përkohësisht fluturimet në distanca të gjata.

Ky vendim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vjen pasi, siç pretendohet, ai lëndoi kokën në një aksident në shtëpi.

Në një deklaratë, zyra presidenciale tha se Lula, që fillimisht ishte planifikuar të nisej në orën 17:00 me kohën lokale të dielën, tani do të marrë pjesë në takimin e BRICS përmes videokonferencës.

Forumi diplomatik i themeluar 15 vjet më parë nga Brazili, Rusia, India, Kina është zgjeruar që atëherë duke përfshirë Afrikën e Jugut, Egjiptin, Etiopinë, Iranin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas një raporti mjekësor të lëshuar nga Spitali Sirio Libanes në Brasilia, Lula “u këshillua të shmangte udhëtimet ajrore në distanca të gjata, por përndryshe është në gjendje të kryejë detyrat e tij të rregullta”.

Raporti shtoi se Lula kishte pësuar një plagë në pjesën e pasme të kokës. /Telegrafi/

Exit mobile version