Telegrafi

Threads ka afro 100 milionë përdorues aktiv në muaj

Duket se përpjekjet e Meta që të investojë në promovimin e rrjetit social Threads më në fund po shpaguhen, pasi i pari i kompanisë Mark Zuckerberg, ka konfirmuar se aplikacioni tani ka afro 100 milionë përdorues aktiv në muaj, dhe është i bindur se ekziston “një shans i mirë” që të arrijnë në një miliard përdorues në vitet e ardhshme.

“Prej kohësh mendoj se do të duhej të ekzistonte një aplikacion për biseda që mund ta përdorin një miliard njerëz, e që është më pozitive dhe mendoj që nëse vazhdojmë kështu edhe disa vite, kemi gjasa të mira ta realizojmë vizionin tonë”, tha Zuckerberg, transmeton Telegrafi.

Rritja e Threads po përcillet me vëmendje nga themelimi në korrik. Aplikacioni fitoi 100 milionë përdorues të regjistruar në javën e parë, por pasoi një rënie e madhe me ankesa të shumta nga përdoruesit për kufizim të funksioneve.

Por Meta gradualisht filloi shtimin e funksioneve të reja, e duket se “engagement” është rritur në javët e fundit derisa të njëjtën kohë Elon Musk po bën ndryshime në rrjetin e tij social X.

Wall Street Journal këtë javë ka njoftuar, që Threads së fundmi ka arritur të tërheq “përdorues të fuqishëm” të X-it. /Telegrafi/