Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen sapo i është përgjigjur vendimit për tarifa nga SHBA për aluminin dhe çelikun.
Ajo ka thënë se blloku do të përgjigjet me “kundërmasa të forta dhe proporcionale”, përcjell Telegrafi.
“Më vjen shumë keq për vendimin e SHBA për të vendosur tarifa ndaj eksporteve evropiane të çelikut dhe aluminit. Tarifat janë taksa – të këqija për biznesin, më keq për konsumatorët”, ka thënë fillimisht ajo.
Në këtë drejtim, ajo ka shtuar se “tarifat e pajustifikuara ndaj BE-së nuk do të mbeten pa përgjigje – ato do të shkaktojnë kundërmasa të forta dhe proporcionale”.
“BE-ja do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike. Ne do të mbrojmë punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë”, ka thënë më tej Ursula von der Leyen.
Një reagim ka ardhur edhe nga Komisioneri i tregtisë së BE-së, Marosh Shefçoviq i cili i ka quajtur ato “ekonomikisht kundërproduktive”, “të këqija për bizneset, më keq për konsumatorët” dhe “rritje të kostove për bizneset [SHBA] dhe nxitje të inflacionit”.
Ai tha se blloku “po vlerësonte shtrirjen e masave të shpallura brenda natës”, por “do të përgjigjet në mënyrë të vendosur dhe proporcionale me kundërmasa”.
Ndryshe, presidenti amerikan pretendoi të dielën se do të vendoste një tarifë prej 25% për çdo çelik dhe alumin që vjen në SHBA.
Trump ka njoftuar tashmë tarifa kundër Meksikës, Kanadasë dhe Kinës dhe ka treguar se do të synojë BE-në.
BE-ja pretendon se tregtia mes saj dhe SHBA-së përfiton të dyja palët. /Telegrafi/