Presidenti i Interit Erick Thohir mbështet trajnerin Roberto Mancini dhe siguroi se Mauro Icardi nuk është në shitje.
Presidenti i klubit, i cili tani është aksionar pakicë i ka thënë faqes zyrtare të klubit në prag të turneut e verës të ekipit në SHBA, se mbështet trajnerin dhe kapitenin e skuadrës.
“Mezi po pres javën e ardhshme që të takohem me skuadrën dhe Roberto Mancinin. I kam ndjekur stërvitjet dhe ndeshjet miqësore në Brunico dhe unë e di që po punohet shumë për të rimbushur bateritë sepse përpara kemi një sezon të vështirë, që përpos kampionatit dhe kupës së Italisë, kësaj radhe duhet të luftojmë edhe në Ligën e Evropës”, deklaroi fillimisht Erick Thohir.
“Kam parë shumë gjëra që janë shkruar rreth të ardhmes së Roberto Mancinit,por unë dua të përsërisë që ai është kampioni ynë dhe do të na ndihmojë shumë me eksperiencën e madhe ndërkombëtare që ka që të përmirësojmë pozitën tonë në kampionat dhe të arrijmë Ligën e Kampionëve”.
“Është folur shumë edhe për Mauro Icardin, por dua t’i konfirmoj fjalët e Piero Ausilios, i cili ka thënë se Mauro është një vlerë e madhe për Interin, ai është kapiteni ynë dhe ai nuk është në shitje”, përfundoi presidenti i Interit. /Telegrafi/