Telegrafi

Thirrja e ambasadorit britanik: Kemi nevojë për krah pune, skema jonë për shqiptarët

Ambasadori i Britanisë së Madhen në Shqipëri, Alastair King-Smith u bëri thirrje shqiptarëve që të zgjedhin rrugët ligjore për të shkuar në Britani.

Ai u shpreh se disa ditë më parë Ministria britanike e Financave shpalli një numër të vendeve të punës në sektorin e ndërtimit, që siç tha mund të shfrytëzohen nga shqiptarët duke aplikuar për viza pune.

“Ju e keni dëgjuar thirrjen time dhe qeveria britanike e ka bërë të qartë. Ata të cilët kërkojnë të shkojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar duhet të aplikojnë për viza. Ende nuk besohet por vitin e kaluar mbi 90% e aplikantëve kanë marrë vizat e tyre. Njerëzit ende besojnë se të marrësh një vizë britanike është tejet e vështirë.

Derisa mund të përgjigjesh me ndershmëri pyetjeve të sistemit online për aplikim, mbështetur edhe me dokumentacionin që kërkohet nuk ka mundësi për refuzim, prandaj 90% arrijnë të përfitojnë viza. Kjo shifër përfshin jo vetëm viza turistike apo studentore por edhe viza pune. Unë do të doja të shihja me tepër aplikime për viza pune dhe që shqiptarët të punojnë në mënyrë efektive.

Përpara 10 ditësh, Ministria e Financave britanike, shpalli një numër të vendeve të punës në sektorin e ndërtimit. Kjo do të thotë se një numër i madh shqiptarësh që punojnë në këtë sektor në Mbretërinë e Bashkuar mund të aplikojnë për viza pune. Ne i nxisim njerëzit që të zgjedhin rrugën e ligjshme dhe të mos rrezikojnë në udhëtime të vështira dhe të paligjshme”, u shpreh ambasadori King-Smith në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania.