Belgjika kaloi me vështirësi në çerekfinale të kampionatit botëror që po zhvillohet në shtetin rus.
Belgët arritën të triumfonin me rezultat 3-2, megjithëse ishin në disavantazh prej dy golave kundër Japonisë.
Pas takimit ka folur portieri i “Djajve të Kuq”, Thibaut Courtois ku ndër të tjerash pohoi se i mungon kryeqyteti spanjoll, Madridi.
“Unë nuk do të flas për të ardhmen time deri pas Kupës së Botës. Do të shohim nëse do të kthehem në Madrid. Gjithmonë e kam thënë se fëmijët e mi janë shumë të rëndësishëm për mua. Ata jetojnë atje”, ka pohuar 26-vjeçari.
Ai më tutje deklaroi se nuk e ka problem që të luaj edhe një lojë të vështirë, pasi që këtë e kishte përjetuar disa herë sa ishte te Atletico Madridi.
“Jam mësuar të vuaj në Atlético. E njëjta gjë ka qenë edhe sot, Japonia është një ekip i mirë, taktikisht ata kanë qenë shumë të mirë, papritmas ju shikoni në 2-0, por ne kemi besuar shumë në rikthim”, tha Courtois.
Theksojmë se belgët për një biletë në gjysmëfinale do të luajnë kundër Brazilit, e cila eliminoi Meksikën. /Telegrafi/