Telegrafi

Thiago Silva flet për rëndësinë e Neymarit te Brazili, por edhe për përballjen me Kroacinë

Brazili është Kombëtarja favorite për ta fituar Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’.

‘Selecao’ kanë kaluar në çerekfinale pas triumfit ndaj Koresë së Jugut me rezultat të thellë 4-1.

Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva ka folur për ecurinë e deritanishme, duke thënë se i pret një duel i vështirë në çerekfinale ndaj Kroacisë.

“Ne jemi të fortë në fushë, por edhe në kokat tona. Nuk ishte ndeshje e lehtë ajo ndaj Koresë së Jugut. Punuam shumë në lidhje me përgatitjen e asaj ndeshjeje, nuk mund të mos i respektonim koreanët”.

“Para se të mendojmë për gjysmëfinalen e mundshme kundër Argjentinës, ne duhet të fokusohemi te Kroacia. I respektojmë të gjithë, por nuk i frikësohemi askujt. Duhet të vazhdojmë përpara me futbollin tonë guximtar dhe spektakolar”, ka thënë kapiteni Thiago Silva.

Tutje qendërmbrojtësi brazilian foli edhe për rëndësinë e yllit Neymar në Kombëtare, duke thënë se sulmuesi i PSG-së dëshiron me çdo kusht ta fitoj Kupën e Botës.

“Neymar është i domosdoshëm për ne. Ai kaloi një javë të komplikuar dhe zbriti në fushë me vetëm dy seanca stërvitore. Ai ka treguar se është 100% i fokusuar te Kupa e Botës dhe se e dëshiron me çdo kusht fitoren finale”, u shpreh Thiago Silva. /Telegrafi/