Thiago Silva kishte publikuar një mesazh që është interpretuar si zhgënjyes, para ndeshjes kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i klubit francez, Unai Emery, vendosi ta angazhonte Presnel Kimpemben në formacionin startues duke e lënë mbrojtësin brazilian në bankën rezervë.
Silva thuhet se është befasuar kur është njoftuar se do të qëndrojë në bankën rezerve në ndeshjen e madhe në Santiago Bernabeu.
“Shpresoj se Zoti do të më ndihmojë të përmirësohem”, ka shkruar në një postim të tij në InstaStory.
33-vjeçari nuk u inkuadrua as në fitoren e PSG-së (1-0) kundër Toulouse në fundjavë dhe duket se ai nuk është aspak i kënaqur me vendimin e trajnerit që ta lë në bankë edhe në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.
Kimpembe luajti nga minuta e parë edhe në fitoren e PSG-së në vitin e kaluar (4-0_ kundër Barcelonës në Parc de Princes.
Ndërkohë që Silva luajti në ndeshjen kthyese që rezultoi të ishte historike (Barcelona fitoi 6-1 dhe u kualifikua tutje).
Në mungesë të kapitenit, në ndeshjen kundër Realit shiriti iu dha Marquinhos. Vlen të përmendet se edhe Zinedine Zidane nuk e inkuadroi nga minuta e parë anësorin Gareth Bale. /Telegrafi/