Charlize Theron iu është përgjigjur thashethemeve se i është nënshtruar një operacioni plastik dhe për komentet e saj është vlerësuar veçanërisht në rrjetet sociale.
Aktorja ka folur për spekulimet se ka kryer procedura kozmetike në një intervistë për revistën Allure.
“Fytyra ime po ndryshon. Dhe më pëlqen që fytyra ime po ndryshon dhe po plaket. Njerëzit mendojnë se kam bërë një lifting të fytyrës. Ata pyesin: ‘Çfarë i ka bërë fytyrës?’. Në fakt unë dua të përgjigjem: ‘Unë vetëm po plakem! Kjo nuk do të thotë se kam bërë një operacion të keq plastik. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh’”, ka deklaruar 48-vjeçarja.
Sado që Theron e do pamjen e saj natyrale, ajo shtoi se nuk i kritikon individët që zgjedhin kirurgjinë estetike. Ylli i “Atomic Blonde” vuri në dukje se si gratë e tjera e përqafojnë plakjen në mënyrën e tyre dhe u bëri thirrje individëve që ta pranojnë këtë vendim.
Duke folur për “standardin e dyfishtë” të plakjes midis burrave dhe grave, Charlize vuri në dukje se e përbuz konceptin se burrat plaken si vera, ndërsa gratë plaken si lulet e mbledhura.
Fansat e lavdëruan aktoren për pikëpamjen e saj pozitive ndaj plakjes duke e quajtur një ikonë.
Edhe pse e ka përqafuar plakjen në mënyrën e saj, ajo pranoi se ekziston një aspekt i plakjes që është më i vështirë për t’u mësuar – ndryshimet e saj fizike. /Telegrafi/