Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka sulmuar me thikë dy persona në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.
Ndërsa, bëhet e ditur se i dyshuari tjetër për këtë rast gjendet në arrati.
Rasti i cili po hetohet si “Vrasje e rëndë në tentativë, në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje”, ka ndodhur të martën pasdite.
“Rr. Muharrem Fejza (NN) 05.07.2022 – 17:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se bashkë me një tjetër të dyshuar mashkull kosovar i cili gjendet në arrati kanë sulmuar me thika dy viktimat meshkuj kosovarë duke iu shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në raportin e policisë.
Tutje, thuhet se viktimave iu është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes nga ku kanë sekuestruar dy thika të cilat dyshohet se janë përdorur.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafin/