Policia e Kosovës, drejtoria rajonale në Ferizaj ka dalë me sqarime shtesë rreth rastit të therjes me thikë të katër personave, ku mbrëmë u arrestua gabimisht një person.
Policia thotë se rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, ku një person i dyshuar ka therur me armë të ftohtë (thikë) katër persona, në tri rrugë të Ferizajt dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
“Ekipe të shumta të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në bazë të informatave të para të siguruara nga terreni, si dhe informatave nga dëshmitarët është ngritur dyshimi, se personi që ka kryer veprat është E.S ( M/K) i moshës 59 vjeçar, të cilin pas një pune intensive të kërkimit është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftim.
Policia tutje sqaron se nga terreni janë siguruar video incizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme.
“Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I ( M/K) i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasjes së mbetur në tentativë në Ferizaj”, ka njoftuar policia.
Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore. /Telegrafi/