Kryeministrja britanike Theresa May ka njoftuar se do të japë dorëheqje si kreu i Mbretërisë së Bashkuar nëse marrëveshja e saj për Brexit më në fund siguron një shumicë në parlament, duke lejuar një pasues të marrë drejtimin në negociatat e ardhshme me Bashkimin Evropian.
“Unë jam e përgatitur të largohem nga kjo pozitë më herët se sa kam menduar për të bërë atë që është e drejtë për partinë dhe vendin tonë”, tha ajo në një takim të një lobi të fuqishëm të ligjvënësve konservatorë të njohur si “Komiteti 1922”, sipas raporteve të mediave britanike, përcjell Telegrafi.
Një pjesëmarrës i takimit, ligjvënësi konservator James Cartlidge, ka thënë për BBC se May nuk ishte e përgatitur të qëndronte dhe të negocionte marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë së Madhe me Evropën.
“Kujtesa ime është se ajo tha se nuk do të qëndronte në post për fazën e ardhshme të negociatave, gjë që nënkupton që pasi Marrëveshja e Tërheqjes të ketë kaluar, ajo do të hapë rrugën për dikë tjetër”.
Ligjvënësit britanikë kanë refuzuar dy herë që të votojnë marrëveshjen e kryeministres May për Brexit dhe refuzimi i parë shënoi humbjen më të madhe të Parlamentit britanik në historinë moderne politike.
Pritet që ajo të përpiqet të sjellë një votim të tretë në Parlament në ditët e ardhshme. /Telegrafi/