Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, e cila po merr në takimin e ‘Forumit Ekonomik Botëror’ që po mbahet në Davos të Zvicrës, tha se qeveria së bashku më biznesin duhet t’i kanalizojnë fuqitë e tyre duke i shfrytëzuar teknologjitë dhe duke i adresuar shqetësimet e njerëzve, shkruan Telegrafi.
“Ne duhet të kanalizojmë fuqinë e biznesit dhe qeverisë së bashku për të shfrytëzuar teknologjinë dhe ta bëjmë atë një forcë të mirë në mënyrë që t’i adresojmë shqetësimet e njerëzve. E kuptoj fuqinë e biznesit si një forcë për të mirë”, tha ajo.
Po ashtu, sipas saj tregjet e lira kanë dhënë përparime të mëdha.
“Tregjet e lira nxisin marrjen e rrezikut që kanë dhënë përparimet e mëdha të kohës sonë. Por unë gjithashtu besoj në fuqinë e qeverisë”, shton ajo.
May foli dhe për kompaninë ‘Uber’, e cila tha se ka bërë gjëra të gabuara.
“Është një kompani inovative, por gjithashtu ka gjëra të gabuara – me çështjet e sigurisë dhe shqetësimet që lidhen me trajtimin e punëtorëve. Zgjidhja nuk është se ajo duhet të mbyllet, por të përmirësojë sistemin në mënyrë që të punojë më mirë”, tha ajo.
Gjithashtu, rritja e kriptovalutave dhe ndryshimi i dinamikës së financave botërore janë temat që po dominojnë rendin e ditës së sotme në Forum. /Telegrafi/