Një gjykatë në Seattle dënoi Changpeng Zhao, themeluesin e Binance, këmbimores më të madhe në botë të kriptomonedhave, me katër muaj burg.
Themeluesi i Binance, Changpeng Zhao është dënuar me katër muaj burg për shkelje të ligjeve ameirkane kundër pastrimit të parave, shkruan theverge.
Prokurorët kërkuan tre vjet burg, dyfishin e udhëzimit të dënimit prej 18 muajsh, sepse “fusha dhe pasojat e sjelljes së keqe të Zhaos ishin masive”, shkruante në leximin e dënimit.
Avokatët e Zhaos, në memorandumin e tyre të dënimit, thanë se Zhao nuk meritonte burg, pasi “asnjë i pandehur në një çështje të ngjashme BSA [Akti i Sekretit Bankar] nuk është dënuar ndonjëherë me burgim”.
Zhao u deklarua fajtor dhe u largua në muajin nëntor nga Binance si pjesë e një marrëveshjeje me Departamentin amerikan të Drejtësisë. Për më tepër, Binance ra dakord të paguante një gjobë prej 4.3 miliardë dollarësh.
Si pjesë e marrëveshjes, Zhao ka hequr dorë nga e drejta për të apeluar çdo dënim deri në 18 muaj burg. Ai gjithashtu pranoi të paguante një gjobë prej 50 milionë dollarësh ndërsa vlerësohet se ka një pasuri prej 33 miliardë dollarësh.
Sipas qeverisë amerikane, Binance me vetëdije iu shmang rregulloreve kundër pastrimit të parave. Si rezultat, klientët iranianë, kubanë dhe sirianë ishin në gjendje të bënin transaksione në kundërshtim me sanksionet amerikane. /Telegrafi/