Site icon Telegrafi

Themelohet Lozha e Madhe e Kosovës

Sot në një ceremoni festive u bë sjellja e dritës masonike në Kosovë dhe nisi funksionimin Lozha e Madhe e Kosovës.

Sipas njoftimit, Lozha e Madhe të Kosovës është i vetmi organizëm masonik i rregullt në territorin e Republikës së Kosovës.

Muratoria e Lirë është një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha jo-fetare, jo-politike, vëllazërore dhe bamirëse në botë. Anëtarët e saj duhet të jenë me qëndrim të lartë moral. Zanafilla e saj rrjedh nga traditat dhe ritualet e muratorëve mesjetarë që ndërtuan katedralet, monumentet dhe kështjellat nëpër Europë.

Nuk ka dëshmi për ekzistimin e Lozhave masonike në Kosovë para vitit 2014. Sado që ekzistojnë elemente që sugjerojnë se gjatë kohës së Perandorisë Osmane në disa qytete të Kosovës ka pasur vëllazëri që kanë funksionuar në bazë të rregullave masonike, deri më sot nuk ekzistojnë dëshmi se gjatë pushtimit jugosllav të ishte themeluar ndonjë Lozhë në Kosovë.

Në qershor të vitit 2014 u themelua Lozha Dardania, që është Lozha e parë e rregullt në territorin e Kosovës. Më pas u formuan edhe dy Lozha të tjera, që mundësuan themelimin e Lozhës së Madhe të Kosovës. Të tre këto Lozha kanë punuar deri më 2018 nën autoritetin e Lozhës së Madhe të Shqipërisë, e cila është e rregullt dhe e pranuar nga Lozhat e Mëdha në botë, përfshirë edhe Lozhën e Madhe të Bashkuar të Anglisë. /Telegrafi/

Exit mobile version