Site icon Telegrafi

“Themelimi i Ushtrisë, te serbët e Kosovës ekziston frikë, mosbesim dhe mungesë e informacionit”

Çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), duket të jetë një problematikë me shumë paqartësi dhe kundërshtime nga komuniteti serb në Kosovë.

Kështu ka theksuar Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativa e Re Sociale (NSI), Mitrovica e Veriut, në konferencën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me temën “Qëndrimi i komunitetit serb rreth ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Radoslavljeviq ka thënë se në hulumtimin e bërë nga organizata të cilën e drejton ajo, në pyetjen për themelimin e FAK, ka deklarime kundërthënëse nga përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.

“Ka një mendim që kjo temë do të duhej të përfshihej në kuadër të agjendës së bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Andaj konsideroj se Qeveria e Kosovës ka nevojë të japë sqarime shtesë, që të sqarohet frika dhe paqartësitë nga ky proces”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, anashkalimi i Kushtetutës për themelimin e forcave të armatosura, është i papranueshëm për serbët e Kosovës, dhe një veprim i tillë i institucioneve të vendit, do të dërgonte një mesazh negative dhe do të përçonte ndenjën e pasigurisë tek këta qytetarë.

“Serbët mendojnë se prezenca e KFOR-it dhe NATO-s, është një garanci e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për themelimin e FAK, duke ia shtuar këtu faktin se Kosova nuk rrezikohet nga jashtë dhe brenda kufijve”, ka shtuar Radosavljeviq.

Ajo më tutje ka thënë se zgjedhjet e fundit e kanë dëshmuar se lista serbe, në rrafshin politik, është opsion i zgjedhur nga serbët në Kosovë, dhe si e tillë do të duhet të merret dhe të ketë konsultime me ta.

“Ajo çfarë mund të themi përfundimisht është se te serbët e Kosovës, ekziston frikë, mosbesim dhe mungesë e informacionit”, ka shtuar Radosavljeviq. /Telegrafi/

Exit mobile version