Site icon Telegrafi

“The Invisible Boy” fiton çmimin e audiencës së re evropiane

Çmimi i Audiencës së Re të Akademisë Evropiane të Filmit sivjet i është ndarë filmit “The Invisible Boy” (Il ragazzo invisibile) nga Italia. Ky film ka marrë shumicën e votave të publikut të moshës 12-14 vjeç.

Edicioni i sivjetmë, i katërti me radhë i “EFA Young Audience Award”, është organizuar me numër rekord të partnerëve, gjithsej 25, duke përfshirë në listë edhe “DokuFestin” për të dytin vit me radhë.

Filmat “My skinny sister” produksion i Suedisë dhe Gjermanisë, “The invisible boy” nga Italia dhe “You’re ugly too” nga Irlanda, kanë qenë filmat të cilët kanë garuar për të marrë këtë çmim. Filmat janë nominuar nga juria ndërkombëtare e përbërë nga Per Eriksson (Swedish Film Institute), Beata Marcinik (New Horizons Association, Poloni) dhe Paola Traversi (Museo del Cinema, Itali).

Të tre filmat të dielën janë projektuar në “DokuKino” në Prizren, si dhe në 24 qytete të tjera evropiane, mes të cilëve Amsterdami, Athina, Barcelona,Beogradi, Stambolli, Zagrebi, etj.

Fëmijët e moshës 12-14 vjeç në këto 25 qytete evropiane pasi kanë shikuar filmat, si dhe kanë debatuar për ta, kanë votuar për filmin më të mirë, ndërkohë që rezultatet janë shpallur në një videokonferencë të drejtpërdrejtë nga qyteti gjerman Erfurt.

“Aktorja kosovare Arta Dobroshi, regjisori Kreshnik Berisha dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, i kanë shikuar filmat së bashku me audiencën e re në ‘DokuKino’ në Prizren dhe i kanë udhëzuar ata në vlerësimin e filmave, ndërkohë që më pastaj të rinjtë kanë votuar në bazë të bindjeve të tyre”, ka thënë Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv në “DokuFest”.

Në videokonferencën nga Prizreni, votat e shikuesve të rinj janë transmetuar në Erfurt nga Noari, që vijon mësimet në kolegjin “Mehmet Akif”, dhe Amfora, nxënëse e shkollës fillore “Emin Duraku”.

EFA është themeluar në vitin 1988 nga filmbërësi Ingmar Bergman dhe kjo akademi sot grumbullon më shumë se 3 mijë filmbërës nga Evropa. /koha.net/

Exit mobile version