Site icon Telegrafi

Thatësirë shkatërruese në Kenia, më e keqja në 40 vjet – pamje që tregojnë gjendjen e rëndë nga e cila janë prekur miliona njerëz

Thatësira në Kenia ka arritur nivele dramatike, me miliona njerëz të prekur nga mungesa e ujit dhe ushqimit.

Ky fenomen, i cili deri pak vite më parë shfaqej në cikle të parashikueshme sezonale, është bërë gjithnjë e më i shpeshtë dhe më intensiv, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Krizat e fundit klimatike kanë përkeqësuar kushtet e jetesës së banorëve të “rajoneve të thata dhe gjysmë të thata”, mbijetesa e të cilëve varet shumë nga bujqësia dhe blegtoria.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në këtë fazë historike populli kenian po përjeton krizën më të keqe të ujit në 40 vitet e fundit dhe miliona njerëz nuk kanë qasje të qëndrueshme në burimet e ujit të sigurt.

Lumenjtë, liqenet dhe “rezervuarët tjerë” po thahen ngadalë.

Në zonat veriore të Kenisë, gratë dhe fëmijët detyrohen të udhëtojnë çdo ditë në distanca gjithnjë e më të mëdha për të gjetur ujë të papastër nga nëntoka, që mund të shkaktojë infeksione dhe sëmundje.

Në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike 2024 (COP29) të mbajtur në Baku, Azerbajxhan këtë vit, Kenia përsëriti nevojën për më shumë mbështetje financiare nga vendet e zhvilluara për të gjetur zgjidhje dhe për të ndihmuar vendin të kapërcejë një kohë kaq të vështirë. /Telegrafi/

Exit mobile version