Numri 44 është i preferuar në fanellën e Dejan Kulusevskit, megjithëse te klubi i tij i ri, Tottenham Hotspur, do ta bartë numrin 21.
Anësori suedez me origjinë maqedonase për herë të marrë e zgjodhi këtë numër kur ishte lojtar i Parmas, edhe atë falë admirimit për futbollistin shqiptar, Adnan Januzaj, i cili asokohe luante te Manchester Unitedi.
21-vjeçari kishte shkuar në Itali që në vitin 2016 duke qenë pjesë e Akademisë së Atalantas, ku dy vite më vonë u përfshi edhe në ekipin e parë.
Mirëpo, meqë kishte pak minutazh loje, si futbollist premtues, ai u huazua te Parma në verën e vitit 2019.
Shumë shpejt e tërhoqi interesimin e Juventusit që e transferoi në janar të vitit 2020 për 35 milionë euro, mirëpo e la në huazim te parmanët që ta përfundonte sezonin.
Në këtë afat kalimtar, Zonja e Vjetër e ka lejuar largimin e tij drejt Tottenhamit, si huazim për 18 muaj, me obligim blerjeje në rast se Spursat kualifikohen në Ligën e Kampionëve dhe nëse ai luan së paku në 50 për qind të ndeshjeve.
Në një intervistë të dhënë disa vite më parë për Sky Sport Italia, Kulusevski ka shpjeguar arsyen pse e kishte zgjedhur dikur numrin 44 në fanellë.
“Isha në Suedi për ta shikuar Manchester United dhe isha dëshmitar i debutimit të Januzajt”, ka rrëfyer Kulusevski.
“Ai hyri në fushë me një personalitet të mrekullueshëm, edhe pse ishte vetëm ndeshja e tij e parë profesionale. I thash babait tim se doja të bëhesha i tillë, doja të luaja në atë mënyrë”.
“U lidha për atë numër, i lexova disa gjëra dhe rashë në dashuri”, ka thënë tutje anësori i Tottenhamit, i cili në Ligën Premier do ta ketë numrin 21.
Karriera e Januzajt megjithatë që atëherë ka pësuar ndryshime, pasi ai u huazua te Borussia Dortmundi dhe Sunderlandi, ndërsa nga viti 2017 luan për Real Sociedadin. /Telegrafi/