Site icon Telegrafi

Thaçi: Zyra e Prokurorit të mbajë bajrakun në luftimin e krimeve të rënda

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot kryetarin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, si dhe kryeprokurorin Aleksander Lumezi.

Thaçi rikonfirmoi bashkëpunimin e Zyrës së Presidentit me këto dy institucione të rëndësishme të vendit dhe i përgëzoi ato për ndryshimet e fundit ligjore, që bënë të qartë ndarjen në mes tyre.

“Është e rëndësishme që këshilli të fuqizohet në rolin e vet mbikëqyrës”, theksoi Thaçi në bisedë me kryetarin Isufaj.

Ndërsa, duke përgëzuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për funksionimin sa më efikas të Prokurorisë së Shtetit, presidenti Thaçi tha se kjo zyrë duhet të mbajë bajrakun në luftimin e krimeve, veçanërisht atyre të rënda.

“Luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe i krimeve të profilit të lartë kanë ndikim në imazhin e përgjithshëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se çështjet në këtë front duhet të prioritizohen dhe se këto janë thelbësore për të ruajtur dhe forcuar besimin në drejtësinë në Kosovë.

Rëndësia e sundimit të ligjit në procesin e integrimit në BE, funksionalizimi i organeve të drejtësisë në pjesën veriore të shtetit, si dhe ngritja e kapaciteteve vendore dhe transferimi i kompetencave nga EULEX-i tek organet e Kosovës ishin pikat e tjera që u diskutuan në këtë takim.

“Sundimi i ligjit, drejtësia, janë qenësore për zhvillimin e tërësishëm të shtetit, që qytetarët e Kosovës të jetojnë me dinjitet dhe në prosperitet”, përfundoi Thaçi./Telegrafi/

Exit mobile version