Telegrafi

Thaçi në Ditën e Kushtetutës: E kemi obligim moral e ligjor ta respektojmë Kushtetutën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se është obligim moral e ligjor të respektohet Kushtetuta.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, i bëri këto komente duke ua uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës, Ditën e Kushtetutës.

“Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri. Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës”, shkruan Thaçi.

Presidenti tha se aprovimi i Kushtetutës ishte edhe një arritje e Kosovës, krahas njohjeve ndërkomebtare pas Pavarësisë.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës”, shkruan Thaçi. /Telegrafi/