Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka konfirmuar se të dielën, më 24 qershor në Bruksel do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut me Serbinë. Ai tha se priten bisedime të rënda dhe të vështira pasi synohet që dialogu të përmbyllet me marrëveshje historike, por sipas tij, Kosova nuk ka çka t’i frikësohet dialogut dhe epilogut të këtyre bisedimeve.
Ai bëri të ditur se të martën ka marrë ftesën zyrtare nga Zyra e përfaqësues së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini për takimin e radhës që do të mbahet këtë të diel, më 24 qershor në Bruksel.
Thaçi theksoi se ky do të jetë takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo sipas tij konfirmohet nga letra zyrtare e Mogherinit.
“Qëllimi ynë në këtë fazë përfundimtare është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që do të mundësojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve”, tha Thaçi, duke shtuar se pas viteve të tëra të bisedimeve ka ardhur koha për një marrëveshje historike ndërmjet dy shteteve.
Ai tha se priten bisedime të rënda dhe të vështira pasi synohet që dialogu të përmbyllet me marrëveshje historike.
“Kosova nuk ka çka t’i frikësohet dialogut dhe epilogut”, tha Thaçi.
Ai tha se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është e domosdoshme që Kosova ta sigurojë vendin në arenën ndërkombëtare, të jetë pjesë e OKB e mekanizmave tjerë ndërkombëtar.
Presidenti i vendit tha se edhe në fazën finale të dialogut me Serbinë, Kosova do ta ketë mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve.
Ai po ashtu tha se edhe Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj janë të interesuara që të arrihet marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, si kusht për anëtarësimin në BE të dy shteteve.
Thaçi tha se kjo fazë e dialogut nuk është proces që do të prodhojë humbës.
“Procesi do të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe do ta mbrojë interesin e Kosovës siç kam bërë gjithë jetën…”, tha presidenti.
Ai tha se si president i Kosovës ka obligim kushtetues ta përfaqësojë shtetin dhe rrjedhimisht t’i prij dialogut me Serbinë.
Thaçi tha se është e domosdoshme që të krijohet një ekip gjithëpërfshirëse, që do të përbëhet nga bartësit e institucioneve të Kosovës, partive politike, shoqëria civile, etj.
“Kjo do ta bënte procesin më kredibil dhe transparent në rast të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha Thaçi. /Telegrafi/