Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris ka zhvilluar një takim me kancelarën gjermane, Angela Merkel.
Thaçi përmes profilit të tij në Twitter, ka thënë se me kancelaren Merkel kanë biseduar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne u pajtuam se përkrahja gjermane është përcaktuese për këtë marrëveshje dhe për anëtarësimin tonë në BE’, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Më herët presidenti Thaçi ka postuar edhe fotografinë e takimit që ka pasur mbrëmë në Paris me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Ai ka thënë se me presidentin amerikan është pajtuar për nevojën e zgjerimit të paqes dhe pajtimit në Evropë, që nënkupton arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Në këtë ditë të # Armistice100, duke përkujtuar fundin #WorldWarI, ne u pajtuam me presidentin Donald Trump për nevojën për të zgjeruar paqen dhe pajtimin në #WesternBalkans duke arritur marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse në mes të #Kosovës dhe Serbisë, duke bërë të mundur që Republika jonë të bashkohet me @NATO, OKB, BE”, ka shkruar Thaçi.