Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të Misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, kryesuar nga deputetja Viola von Cramon-Taubadel, të cilët i ka falënderuar për kontributin e tyre për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.
Thaçi ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen që institucionet e BE-së i kanë dhënë vazhdimisht Kosovës në forcimin e institucioneve dhe parimeve demokratike.
“Jemi mirënjohës për rolin tuaj në monitorim të zgjedhjeve, por edhe për rekomandimet që jepni si mënyrë për të përmirësuar edhe më tepër procesin elektoral në Kosovë”, ka theksuar presidenti Thaçi, thuhet në njoftimin për media.
Thaçi ka thënë se Kosova po kalon në një proces elektoral normal, e që kjo po konfirmon se “Kosova ka vënë traditë të zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike, të vlerësuara, si dhe të pranimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
Presidenti është shprehur i shqetësuar me raportet për intimidim të votuesve serbë në veri të Kosovës dhe ftoi vëzhguesit që të jenë prezent në veri dhe të raportojnë për çdo gjë që do të vërejnë.
Anëtarja e Parlamentit Europian Cramon-Taubadel është shprehur e kënaqur që Parlamenti Evropian do të monitorojë edhe këto zgjedhje dhe ka kërkuar që rekomandimet që ka dhënë, e që do të jap ky mision vëzhgues të merren parasysh nga institucionet e Kosovës. /Telegrafi/