Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dënuar sulmin me vezë ndaj ambasadores Vlora Çitaku mbrëmë në “University of Denver”, në Colorado të SHBA-ve.
Presidenti ka thënë në një status në profilin tij, në Facebook se ky sulm ishte edhe një tjetër përpjekje e radhës për ta dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi.
Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, sipas tij, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm.
“Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar”, ka thënë presidenti Thaçi. /Telegrafi/