Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me përurimin e ndërtesës së re Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, SHBA-të janë bërë me shtëpi të re.
Thaçi ka pohuar se, shtëpia e vërtetë e çdo amerikani është në zemrat tona.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë me shtëpinë e re, me ndërtesën e re të ambasadës në Kosovë. Por, shtëpia e vërtetë e çdo amerikani është në zemrat tona, në zemrën e çdo kosovari. Zoti i bekoftë popujt tanë dhe miqësinë tonë të përjetshme”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Përurimi i objektit të ri të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë është bërë në 243 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.
Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, njëherësh kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, si dhe krerët shtetëror të Kosovës.
Ndërtimi i objektit të ri të ambasadës është bërë në hapësirën prej 5 hektarësh në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, tokë kjo që i është dhënë ambasadës në shfrytëzim për 99 vjet.
Njëherësh kjo është ambasada më e madhe në Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/