Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, ka thënë se botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “sot kujtojmë një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike”.
Postimi i plotë i Thaçit:
“Sot kujtojmë një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. I kujtojmë dhimbjet që i mësuam nga dëshmitarët, duke u munduar të nxjerrim mësime rreth shkaktarëve të kësaj mizorie, për të mos lejuar që të përsëritet më për asnjë popull. Botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë. Prandaj angazhohemi për barazi, sundim të ligjit, liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/