Telegrafi

Thaçi: SHBA, Rusia, Franca, Gjermania dhe Turqia konfirmuan mbështetjen për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, respektivisht Ditës së Armëpushimit në Paris, ishte një mundësi që të takojë dhe bisedojë me liderët botërorë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se në takimet që ka pasur me presidentin e Francës, Amerikës, Turqisë, Rusisë dhe kancelaren e Gjermanisë , ka marrë mbështetje të plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Postimi i plotë:

Shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, respektivisht Ditës së Armëpushimit në Paris, ishte po ashtu një mundësi që të takoj dhe bisedoj me liderët botërorë. Në takimet që kam pasur me presidetnin francez, Emmanuel Macron, presidentin amerikan, Donald Trump, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin, më është konfirmuar mbështetja e plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës për tejkalimin, njëherë e përgjithmonë, të konfliktit shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani është koha që të shfrytëzojmë këtë mbështetje për të jetësuar integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB. /Telegrafi/