Site icon Telegrafi

Thaçi, Sejdiu e Jahjaga kishin falur dhjetëra të dënuar – presidentja Osmani ende nuk e ka falur asnjë të burgosur

Presidentes së vendit Kushtetuta ia mundëson që të bëjë faljen e të burgosurve, por që viteve të fundit kjo e drejtë nuk është shfrytëzuar nga e para e vendit Vjosa Osmani.

Ndërkaq, që nga viti 2009 kur ka filluar së zbatuari instituti i faljes, nga presidentët e vendit janë falur 316 të burgosur, prej tyre vetëm 17 femra.

Presidentët e Kosovës ndër vite e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për të falur të burgosurit.

Ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është ai i cili ka falur më së shumti të burgosur.

Ai gjatë mandatit të tij kishte falur 124 të dënuar, ndërsa ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi kishte falur 103 të burgosur, kurse presidentja Atifete Jahjaga kishte falur 21 të burgosur.

Presidenti Hashi Thaçi kishte falur 68 të burgosur, ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani deri më tani nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të falur të burgosurit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, në televizionin “Tëvë1” tha se mosfaljen e asnjë të burgosuri nga ana e presidentes së vendit e sheh si hap të gabuar, madje tha se po tregohet “zemërgur”.

Shala deklaron se ky ngurrim i presidentes për të falur të burgosurit që vuajnë nga sëmundje të rënda lidhet me frikën e saj që mund të gabojë dhe pastaj veprimi i saj të diskutohet, e që  për të thotë se është paarsyeshme që të mos falë asnjë të burgosur.

“Besoni që Shërbimi Korrektues i Kosovës çdo kërkesë të të privuarve nga liria e çon më tutje për trajtim dhe aty angazhohet një numër i madh edhe i mbikëqyrësve edhe i oficerëve edhe psikologëve edhe i drejtorit dhe të gjithë të tjerëve dhe e çojnë një dosje sa më të kompletuar tek presidentja, mirëpo deri më tash të gjitha kërkesat janë refuzuar. Kjo u shkakton shumë probleme pikërisht Shërbimit Korrektues të Kosovës të cilët atëherë duhet t’i japin sqarime të burgosurve, se nuk është përgjegjësia e tyre pse nuk janë falur po është përgjegjësia e presidentes, ndërkaq presidentja po e shihni që është zemërgur në këtë drejtim dhe mendoj që presidentja po gabon sepse nuk bëhet asgjë në qoftë se ta zëmë falen njëzet-tridhjetë veta”, tha ai.

Exit mobile version