Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas bastisjes dhe arrestimeve që hetuesit e Speciales kanë bërë në zyrat e OVL-UÇK-së.
Thaçi ka thënë se “Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për ‘trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja’ apo për ‘Shtëpinë e verdhë’, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara”.
“Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.
Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë”, ka pohuar Thaçi.
Më tej, në reagimin e tij presidenti ka theksuar se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë dhe se publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.
“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë.
Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve”, është shprehur ai.
Thaçi ka pohuar se asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë.
“Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet. E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik”, thotë ai.
Presidenti shton më tej se “Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”.
“Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës”, deklaroi presidenti.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme hetuesit e Speciales kanë bastisur zyrat e OVL-UÇK-së, ku më pas kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj./Telegrafi/